Me propozim të kryetarit të komunës Ardian Gjini dhe kryesueses së kuvendit Arbënesha Kuqi, janë shqyrtuar dhe miratuar një sërë pikash të rendit të ditës, me karakter të përgjithshëm dhe me rëndësi për qytetarët e Gjakovës.
Fillimisht anëtarët e kuvendit kanë votuar pro caktimit të lokacionit për dy pika tejet të rëndësishme, e para për varrezat e qytetit dhe e dyta për vendosjen e shtatores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Më tej është marrë vendimi për shpalljen e interesit publik për realizimin e tri projekteve tejet të rëndësishme infrastrukturore, “Rrugën X”, zgjerimin e rrugës nga “Ura e Tabakut” deri tek “Ura e Tahir Efendisë” dhe zgjerimin e rrugës për Pejë, segmenti nga ish-Emin Duraku deri tek hyrja në fshatin Skivjan.
Kuvendarët kanë vendosur edhe për dhënien në shfrytëzim të dy pronave komunale e gjithashtu edhe për formimin e komisioneve për dhënien e tyre në shfrytëzim.
Në këtë takim janë prezentuar edhe dy raporte. Ai i prokurimit publik për vitin 2022, që është prezentuar nga udhëheqësi i sektorit të prokurimit Faton Gutaj dhe ai për shëndetin publik për vitin 2022, i prezentuar nga drejtoresha e DSHMS-së Adelina Shehu – Kolaj.
Gjithashtu informata janë dhënë edhe për aktivitetin dhe gjendjen në Ngrohtoren e Qytetit si dhe për gjendjen e Muzeut të Muzikës – Tabhanes. Të dy këto informata janë dhënë nga kryetari Gjini.