Republika e Kosoves

Gjakovë

Fillon fushata 16 ditore kundër dhunës në Familje

2021/11/26 - 3:31

Me moton “Ta bëjmë botën portokalli, jepi fund dhunës ndaj gruas tani”, ka filluar zyrtarisht fushata 16-të ditore kundër dhunës në familje.
Kjo fushatë e cila ka për qëllim eliminimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve, filloi në Shtëpinë e Sigurt, strehën e parë ku gratë marrin mbështetjen e shoqërisë.
Kryetari i Komunës, Ardian Gjini në fjalën e tij tha që:“Uroj që në një ardhme të afërt Shtëpia e Sigurt të mos ketë banorë, kjo për faktin që të gjithë e duam një familje e shoqëri pa dhunë. Por deri sa kjo ditë të vij, rastet e dhunës në familje duhet të raportohen dhe të mos heshten”.
Në mesin e të ftuarve në këtë ceremoni ishte edhe themeluesja e Shtëpisë së Sigurtë, Vjosa Dobruna e cila në fjalën e saj tha që sot, pas gati 22 vitesh, po sheh rezultatet e para të nismës së saj. Gruaja sot më nuk hesht karshi dhunuesit dhe ky është hapi i parë drejtë eliminit të dhunës.
Në ndihmë të grave është hapur edhe linja telefonike ndihmëse falas, si dhe u bë lansimi i web faqes së Shtëpisë së Sigurtë.
Ndryshe, Mekanizmi Koordinues Kundër Dhunës në Familje gjatë ditëve të fushatës do të jetë e pranishme nëpërmjet ligjeratave vetdijësuese kundër dhunës në familje në secilin institucion arsimor.