Republika e Kosoves

Gjakovë

Fillon së realizuari projekti pilot për riciklimin e mbeturinave organike

2020/09/10 - 1:24

Komuna e Gjakovës vijon me reforma të reja në fushën e menaxhimit të mbeturinave si përfituese e projektit “Shërbime të Qëndrueshme Komunale” (SMS) të GIZ në Kosovë.

Komuna e Gjakovës, përkatësisht Drejtoria e Shërbimeve Publike me Sektorin e menaxhimit të mbeturinave, në bashkëpunim me Deutsche Gesellschaft fur Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH dhe organizatën jooqeveritare në Kosovë Green Art Center – Prishtina (GAC) , në kuadër të projektit “Pilotimi i Kompostimit në Shtëpi në 6 Komunat e Kosovës”, janë duke bërë të gjitha përgatitjet rreth planit të veprimit për nisjen e ndarjes së mbeturinave organike në amvisëri.

Ky projekt është planifikuar të shtrihet në disa lagje dhe fshatra ku sipas planeve të Komunës parashihet që në fazën e parë të projektit të pilotimit të kompostimit shtëpiak të përfshijë 306 amvisëri të cilat do pajisen me komposterë shtëpiak 280l për ndarjen e mbeturinave organike, në zonën qendër të qytetit, Lagjja e “Bllokut të Ri” dhe Lagjjja e “Cabratit” dhe një pjesë të fshatrave Dol, Pjetërshan dhe Dobrigje, me tipologji të banimit individual dhe që kanë kapacitet të prodhimit të mbeturinave organike dhe ato të oborreve, për të tentuar në fazën e radhës me zgjerimin e pilotimit të kompostimit shtëpiak.