Republika e Kosoves

Gjakovë

Gjakova e shënon 11 vjetorin e pavarësisë së Kosovës me shumë aktivitete

2019/02/13 - 11:47

Komuna e Gjakovës, përkatësisht drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, ka organizuar një sërë manifestimesh kulturore e artistike në nderë të shënimit të përvjetorit të 11 të pavarësisë së Kosovës.

Në një konferencë për media të mbajtur sot, drejtoresha e drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Saranda Hyseni ka shpalosur para mediave agjendën e plotë të të gjitha aktiviteteve, agjendë e cila është përpiluar në bashkëpunim me klubet sportive dhe organizatat tjera kulturore të komunës sonë.

Aktivitetet për nderë të 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, do të nisin nesër me 14 shkurt, me një debat me të rinjtë e në të cilin është paralajmëruar se do të marrë pjesë edhe kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini.

Në fushën e sporteve, janë paraparë organizime në turneve në sportet e Box-it, Tekewando-së dhe Kik – Boxit, si dhe turne individual në shah për persona me aftësi të kufizuara. Aktiviteti më i madh sportiv gjatë këtyre ditëve pritet të jenë dy ndeshje nga sporti i volejbollit për përfaqësueset e Kosovës dhe Shqipërisë në dy kategoritë, meshkujt dhe femrat. Gjithashtu nuk do të mungojë as ndeshja revyale në futboll, në mes të KF “Vëllaznimit” dhe KF “Gjakovës”.

Nga fusha e kulturës ky aktivitet do të shënohet me një ekspozitë të piktores gjakovare Vjollca Kuqi. Ndërsa, aktiviteti kryesor pritet të jetë koncerti i madh festiv i tri këngëtarëve të njohura Rovena Dilo, Irma LIbohova dhe Orgesa Zaimi, me mysafirët Vesa Smolica e Florent Abrashi dhe aktorin Salsano Rrapi.