Republika e Kosoves

Gjakovë

Gjakova me kampanje informuese per regjistrimin e femijeve ne klasen e pare

2019/06/21 - 1:53

Në kuadër të kampanjës së përbashkët të Grupit Këshillues në Komunitet – Gjakovë për regjistrimin e fëmijëve në klasën para fillore dhe klasën e parë, sot u mbajt tryezë e rrumbullakët e cila përmbylli aktivitetet dy javore të kësaj kampanje informuese.
Në këtë tryezë morën pjesë institucionet komunale si Drejtoria e Arsimit, Zyra Komunale për Komunitete dhe Kthim, Qendra Për Punë Sociale, organizata ndërkombëtare e lokale si dhe mediat.

Nga diskutimi i realizuar nga kjo tryezë dolën edhe disa rekomandime mjaft frytdhënëse të cilat do të ndihmojnë punën e këtij grupi si dhe gjithashtu do të kërkojë rritjen e përkushtimit të institucioneve për fushën e edukimit.

Qëllimi i kësaj kampanje ishte informimi i prindërve mbi procedurat, dokumentet e nevojshme si dhe afatet për regjistrim, për të siguruar që të gjithë fëmijët të regjistrohen në kohën e duhur në sistemin arsimor dhe askush të mos mbetet i paregjistruar për shkak të mungesës së informacionit.

Aktivitetet e kësaj kampanje informuese u mbështetën nga Zyra Komunale për Komunitete dhe Kthim – Gjakovë, Fondacioni “Tere des Hommes” , Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE si dhe projekti “EU-SIMRAES 2” i cili mbështetet nga Bashkimi Evropian.
Grupi Këshillues në Komunitet (GKK) është grup jo formal i përbërë nga anëtarë të komunitetit të grupmoshave dhe të gjinive të ndryshme si dhe strukturave aktive të shoqërisë civile të cilët janë të përkushtuar dhe luajnë një rol aktiv në adresimin e çështjeve të mbrojtjes së fëmijëve, promovimin dhe avokimin për të drejtat e fëmijëve dhe familjeve në nevojë.