Republika e Kosoves

Gjakovë

Kryeministri Ramush Haradinaj e viziton Gjakovën

2019/02/08 - 5:32

Komunën e Gjakovës e ka vizituar sot kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj. Kryeministri Haradinaj fillimisht është pritur nga kryetari i komunës Ardian Gjini, me të cilin kanë biseduar për projektet e përbashkëta që komuna e Gjakovës dhe qeveria e Kosovës tashmë i kanë nisur së bashku dhe për projektet që po ashtu bashkërisht po planifikojnë të realizojnë në komunën e Gjakovës.

Më tej, kryeministri Haradinaj e ka vizituar edhe Ndërmarrja Prodhuese “Aulona”, një ndërmarrje kjo me traditë shumë vjeçare në prodhimin transformatorëve dhe eksportimin e tyre jashtë vendit. Kryeministri është shprehur i kënaqur me arritjet e kësaj ndërmarrje por edhe të ndërmarrjeve tjera në komunën e Gjakovës. Ai ka shtuar se pas Zonës së Veçantë ekonomike Amerikane dhe projekteve të reja në bujqësi, Gjakova ngadalë po rikthehet në oazë ekonomike të vendit dhe ndihma institucionale në këtë drejtim nuk do të mungojë.

Nga ana tjetër, kryetari i komunës Ardian Gjini ka thënë se vizita e kryeministrit Haradinaj në Gjakovë është një dëshmi e mirë e vullnetit që kryeministri Haradinaj dhe qeveria e Kosovës kanë për ta ndihmuar komunën e Gjakovës në zhvillimin dhe avancimin e më tejmë jo vetëm në aspektin ekonomik por edhe në të gjitha aspektet tjera.