Republika e Kosoves

Gjakovë

Kryetari Gjini pret ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj

2020/09/24 - 1:46

Kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini, ka pritur sot ministrin e ministrisë së Shëndetësisë Armend Zemaj, me të cilin ka biseduar për gjendjen aktuale në luftën kundër pandemisë Covid -19 si dhe mundësitë e bashkëpunimit ndërinstitucional në mes të komunës së Gjakovës dhe ministrisë së Shëndetësisë.

Në këtë takim kryetari Gjini ka konfirmuar se komuna e Gjakovës mbetet në përkushtim maksimal në luftën kundër pandemisë, ndërsa e ka falënderuar edhe ministrinë e shëndetësisë për përkrahje e po ashtu edhe të gjithë qytetarët për një vetëdije të lartë në mbrojtje të shëndetit dhe respektim të rregullave të vendosura nga institucionet përkatëse.

Nga ana tjetër, ministri Zemaj ka thënë se komuna e Gjakovës e ka bërë një punë të mirë në luftën kundër virusit, teksa ka premtuar se ministria që ai drejton edhe më tej do të vazhdojë të jetë në përkrahje të komunës dhe institucioneve lokale shëndetësore.

Në këtë takim, kryetari Gjini dhe ministri Zemaj gjithashtu kanë nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi, sipas së cilit, ministria do të ndajë një shumë financiare, të mjaftueshme për përfundimin në tërësi dhe funksionalizimin e objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Gjatë këtij takimi, kryetari Gjini dhe ministri Zemaj, gjithashtu janë akorduar edhe për përkrahje financiare që ministria e Shëndetësisë do të japë për sistemin parësor shëndetësor, qoftë me blerjen e pajisjeve të nevojshme, qoftë me përkrahjen e stafit të ri përmes specializimeve.