Republika e Kosoves

Gjakovë

Mbahet mbledhja e 4-të e Kuvendit të Komunës

2021/04/30 - 12:49

Është mbajtur sot mbledhja e katërt për vitin 2021 e Kuvendit të Komunës së Gjakovës. Anëtarët e kuvendit kanë diskutuar dhe miratuar të gjitha pikat e rendit të ditës, të propozuara nga kryesuesi Anton Shala.

Fillimisht anëtarët e Kuvendit kanë parashtruar pyetje për kryetarin e komunës Ardian Gjini dhe drejtorët komunal, për tema dhe aktivitete të ndryshme në komunën e Gjakovës. Më tej, nga ana e drejtorit të drejtorisë për Buxhet dhe Financa Durim Halilaj është prezantuar dhe ka kaluar unanimisht Shpërndarja e Rezervës Buxhetore për vitin 2021 si dhe është paraqitur Informata e parë periodike financiare për periudhën janar – mars 2021.

Më tej është shqyrtuar dhe miratuar propozimi për mbështetjen financiare të organizatës “Hendikos” në Gjakovë, ndërsa me propozim të drejtorisë për Shërbime Publike u shqyrtuar dy dokumente nga sektori për menaxhimin e mbeturinave, draft – Rregullorja për menaxhimin e Mbeturinave dhe draft Plani komunal për Menaxhimin e Mbeturinave.

Anëtarët e Kuvendit gjithashtu e kanë shqyrtuar edhe draft – Rregulloren mbi plotësimin e kushteve minimale higjienike, teknike dhe sanitare për lokalet afariste në komunën e Gjakovës, të propozuar nga drejtoria për punë Inspektuese, ndërsa po ashtu edhe u caktuan anëtarët e Komisionit Rekrutues për pozitat e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të disa prej shkollave të komunës së Gjakovës, komision ky i kërkuar nga drejtoria për Arsim.