Republika e Kosoves

Gjakovë

Mbahet mbledhja e 6-të e Komitetit për Politikë dhe Financa

2018/07/16 - 2:34

Është mbajtur sot mbledhja e 6-të e Komitetit për Politikë dhe Financa, në të cilën janë shqyrtuar dhe janë proceduar për në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë Komunale gjithsej 4 pika të rendit të ditës ,e të cilat ishin propozuar nga kryesuesi Anton Shala.
Fillimisht drejtori i drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Durim Halilaj, ka raportuar për situatën financiare për periudhën janar – qershor 2018, ndërsa gjendjen financiare e ka cilësuar si të mirë. Theks të veçantë drejtori Halilaj ka vendosur tek rritja e të hyrave vetanake, të cilat kanë qenë 7 për qind më shumë se planifikimi ndërsa mbi 15 për qind më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar.

Një raport para anëtarëve të KPF-së e ka dhënë edhe drejtori i drejtorisë për Arsim, Bernard Frrokaj, i cili ka thënë se gjysmë vjetori i parë është përmbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme, ndërsa ajo që gëzon më së tepërmi janë rezultatet e mira dhe niveli i lartë i sigurisë në shkollat e komunës së Gjakovës.

Drejtori Frrokaj gjithashtu ka njoftuar se Komuna e Gjakovës qëndron shumë mirë edhe sa i përket krijimit të hapësirave dhe renovimit të objekteve shkollore.

Në këtë takim është prezantuar edhe draft rregullorja për Shërbimet Publike dhe Rendin Komunal, e cila bashkë edhe me vërejtjet dhe sugjerimet e bëra, ka kaluar për debat në mbledhjen e radhës së Asamblesë komunale.

Për herë të parë në një mbledhje të KPF-së është prezantuar edhe plani i punës së prokurimit, veprim ky që ndikon në ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies së Komunës së Gjakovës.