Republika e Kosoves

Gjakovë

Mbahet mbledhja e fundit për këtë vit e Komitetit për Politikë dhe Financa e Kuvendit të Komunës

2022/12/15 - 3:37

Nën udhëheqjen e kryesueses së Kuvendit të Komunës Arbënesha Kuqi, është mbajtur mbledhja e fundit për këtë vit e Komitetit për Politikë dhe Financa e Kuvendit të Komunës.
Fillimisht, është shqyrtuar procesverbali i mbledhjes së kaluar, të mbajtur më 10 Nëntor 2022.
Më pas, kryetari i Komunës Ardian Gjini ka prezantuar pikën e dytë të rendit të ditës, konkretisht shqyrtimin e Draft Statutit të Komunës së Gjakovës duke informuar fillimisht anëtarët e KPF-së se rreth kësaj çështjeje është punuar që një kohë duke respektuar procedurat sipas ligjeve në fuqi. “Në bazë të këtij drafti planifikohet që institucioni ynë të ketë edhe Drejtorinë e Infrastrukturës. Poashtu parashihet edhe themelimi i zyrës për menaxhimin e kontratave si dhe sektorin për menaxhimin e pronave komunale” informoi ndër të tjera kryetari Gjini. Kjo pikë ka kaluar për diskutim në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë Komunale.
Kryesuesja e Kuvendit të Komunës Arbënesha Kuqi ka prezantuar Draft Planin e Punës të Kuvendit për vitin 2023 dhe i njëjti ka kaluar për diskutim në mbledhjen e Kuvendit që do të mbahet këtë muaj.
Drejtori për Zhvillim Ekonomik Ferdinand Kolaj ka informuar rreth procesit të shpërndarjes së granteve gjatë vitit 2023.