Republika e Kosoves

Gjakovë

Mbahet mbledhja e katërt e Kuvendit të Komunës

2022/04/29 - 12:53

Është mbajtur sot mbledhja e katërt e Kuvendit të Komunës së Gjakovës, në të cilën janë diskutuar dhe shqyrtuar një sërë pikash të rendit të ditës, të propozuara nga kryesuesja e kuvendit Arbënesha Kuqi.

Pas pikës së përhershme, pyetje për ekzekutivin, mbledhja e kuvendit ka vazhduar me shqyrtimin e Informatës së parë periodike Financiare për vitin 2022, informatë e cila është prezantuar nga drejtori i drejtorisë për Buxhet dhe Financa Durim Halilaj.

Me tej, me 27 vota pro dhe vetëm një abstenim, kuvendarët e kanë miratuar Planin Zhvillimor Komunal 2022-2030. Duke folur për këtë dokument strategjik, kryetari i komunës Ardian Gjini, ka thënë se PZHK-ja, është një dokument nga më të rëndësishmit për komunën e Gjakovës, i cili do të mundësojë një zhvillim të ri dhe shumë më të shpejtë.

Nga ana e drejtorit të drejtorisë për Shërbime Publike, Shkumbin Kastrati, është dhënë informata mbi gjendjen e ndriçimit publik në komunën e Gjakovës, si dhe informata mbi menaxhimin e situatave në mirëmbajtjen e rrugëve dhe trotuareve gjatë sezonit dimëror.

Kuvendarët e kanë miratuar edhe rregulloren për plotësim ndryshimin e rregullores për plotësimin e kushteve minimale higjienike, teknike dhe sanitare për lokalet afariste si dhe planin e punës për Komitetin për Siguri në Bashkësi për vitin 2022.

Gjithashtu, në këtë takim janë themeluar edhe 4 komitete konsultative, ai për arsim, shëndetësi, barazi gjinore dhe shërbime publike.