Republika e Kosoves

Gjakovë

Mbahet mbledhja e parë e KPF-së për vitin 2023

2023/01/23 - 3:19

Nën udhëheqjen e kryesueses së Kuvendit të Komunës Arbënesha Kuqi, është mbajtur mbledhja e parë për këtë vit e Komisionit për Politikë dhe Financa të Kuvendit të Komunës.
Si fillim, është shqyrtuar procesverbali nga mbledhja e fundit e këtij komiteti, e mbajtur më datë 15 dhjetor 2022.
Raportin e kryetarit lidhur me gjendjen ekonomiko – finaciare, zbatimin e planeve investuese gjatë vitit 2022 dhe informatën për punën e ekzekutivit për vitin 2023 e ka prezantuar drejtori për buxhet dhe financa Durim Halilaj. Përkundër sfidave si pasojë e rritjes së inflacionit, drejtori Halilaj është shprehur i lumtur që Komuna e Gjakovës po vazhdon me trendin e rritjes së të hyrave vetanake.
Konkretisht, ai ka informuar anëtarët e KPF-së se raporti final i të hyrave vetanake pasqyron të hyra rekord 5,514,808.00 €. Këto mjete ai ka thënë se do të barten në vitin aktual 2023 për realizimin e projekteve të ndryshme kapitale dhe për këtë sukses Halilaj ka falënderuar qytetarët për korrektësinë në kryerjen e obligimeve.
Drejtori për Buxhet dhe Financa Durim Halilaj ka prezantuar poashtu shqyrtimin e progresit të rekomandimeve të raportit të auditorit të përgjithshëm. Ai është shprehur se në këtë aspekt, Komuna e Gjakovës qëndron mirë, duke i’u referuar zbatimit të këtyre rekomandimeve.
Elida Bejtullahu udhëheqëse e sektorit të urbanizmit ka prezantuar pikën rreth kërkesës për hapjen e shqyrtimit publik për hartën zonale.
Të gjitha pikat e diskutuara sot në mbledhjen e KPF-së u miratuan për diskutim në mbledhjen e Kuvendit të Komunës. Anëtarët parashtruan pyetje dhe dhanë rekomandimet e tyre lidhur me çështjet që u diskutuan gjatë kësaj mbledhjeje.