Republika e Kosoves

Gjakovë

Mbahet mbledhja e parë e Kuvendit komunal për vitin 2021

2021/01/28 - 3:19

Është mbajtur sot mbledhja e parë e Kuvendit të komunës së Gjakovës për vitin 2021. Pas shumë diskutimesh të zhvilluara në mes asamblistëve të të gjitha subjekteve politike, janë miratuar që të gjitha pikat e rendit të ditës të propozuara nga kryesuesi i kuvendit Anton Shala.

Pas pyetjeve për ekzekutivin, asamblistët kanë diskutuar për Planin vjetor të ekzekutivit për vitin 2021 si dhe për raportin e kryetarit Ardian Gjini mbi gjendjen ekonomiko – financiare dhe zbatimin e planeve investuese në komunën e Gjakovës gjatë vitit 2020.

Më tej është shqyrtuar dhe miratuar propozimi i komisionit për përkrahjen e të prekurve nga Covid – 19 si dhe është shqyrtuar dhe miratuar programi tre vjeçar komunal për banim për periudhën 2021-2023.

Nga fusha e urbanizmit dhe planifikimit urban, anëtarët e kuvendit komunal kanë diskutuar dhe e kanë miratuar vendimin për punimin e Planit Zhvillimor Komunal (PZHK).

Ndërsa, të iniciuara nga Zyra e Informimit, Asambleja ka miratuar tre dokumente për transparencë dhe llogaridhënie, Strategjinë e Komunikimit 2021 – 2023, Rregulloren për Transparencë dhe Planin e Veprimit për Transparencë 2021 – 2025.

Në fund të këtij takimi nga ana e drejtorit të drejtorisë për Emergjenca Vehat Hoxha është dhënë informatë për dëmet e shkaktuara nga vërshimet dhe reshjet e fundit në komunën e Gjakovës.