Republika e Kosoves

Gjakovë

Mbahet mbledhja e radhës e Komitetit për Komunitete

2019/04/25 - 1:08

Komiteti për Komunitete ka mbajtur mbledhjen e radhës, në të cilën takim nga zyrtarë të Zyrës për Komunitete dhe Kthim të Komunës së Gjakovës, është dhënë raporti për punën e kësaj zyre deri në muajin prill. Sipas statistikave të ofruara nga zyrtarja Pranvera Kërshi, në këtë periudhë kohore të këtij viti në komunën e Gjakovës janë riatdhesuar tridhjetë e pesë persona, prej të cilëve njëzet janë të gjinisë mashkullore dhe pesëmbëdhjetë të gjinisë femërore. Prej këtij numri të përgjithshëm, gjashtëmbëdhjetë janë ashkalinjë, nga nëntë janë shqiptarë dhe romë, si dhe një i komunitetit egjiptian.
Nga ZKKK-ja është njoftuar edhe për mbështetjen me mjete didaktike të nxënësve me nevoja, si dhe për projektin VORAE, e cila është në proces e sipër.
Duke folur për gjendjen aktuale të komuniteteve jo shumicë në komunën e Gjakovës, Bernard Frrokaj, drejtor i Drejtorisë së Arsimit ka theksuar se nuk ka ndonjë nevojë të veçantë, ndërkohë që ato që janë paraqitur përbrenda mundësive janë zgjidhur në mënyra dhe forma të ndryshme.
Në ritheksimin e tij të kërkuar nga anëtarët e këtij komiteti për braktisjen e shkollave nga ana e nxënësve për shkak të emigrimeve që potencohen kohëve të fundit, drejtori Bernard Frrokaj ka thënë se çdo shifër që do ipej tani do varionte shpejt, andaj momentalisht nuk ka të dhënë konkrete, ndërkohë që ka rikujtuar se krahasuar me vitin paraprak shkollor në këtë vit që nga fillimi i procesit mësimor kanë qenë 862 nxënës më pak në numër.