Republika e Kosoves

Gjakovë

Mbahet mbledhja e radhës e Komitetit për Komunitete

2020/01/24 - 2:53

Komiteti për Komunitete ka mbajtur mbledhjen e parë për këtë vit kalendarik, në të cilën nga Zyra Komunale për Komitete dhe Kthim është bërë e ditur se përgjatë këtij muaji ende nuk ka të evidentuar ndonjë të riatdhesuar. Sa i përket punës së kësaj zyre gjatë vitit 2019, është thënë se raporti i plotë i punës do të jetë i gatshëm në muajin mars, në të cilën do të jetë i bashkangjitur edhe plani i punës për vitin 2020.

Nga Elvane Turtulli, kryesuese e Komitetit për Komunitete, është thënë se gjatë vizitave të punës në terren, si në lagjen “Ali Ibra”, Dujakë, Skivjan, Brekoc, e të tjera, tek komunitetet është konstatuar gjendja jo e mirë sociale, po ashtu edhe gjendja e mjedisit si dhe probleme të tjera të theksuara.

Nga Riza Morina, zyrtar në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, është dhënë informata mbi gjendjen aktuale të mbeturinave në lagjen “Ali Ibra”, për të cilën ka dhënë konstatimin se është relativisht në suaza të normalitetit dhe në saje të kamerave monitoruese ka nisur edhe marrja e masave, respektivisht gjobitja e ndotësve të mjedisit.

Për këtë vit është përcaktuar që me Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor së bashku me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe organizatën GIZ, do të bëhet pastrimi i deponisë transferuese të mbeturinave si dhe projekte të tjera për krijimin e gjendjes sa në të mirë në këtë deponi, e për këtë është ngritur edhe Task Force me njëzet punëtorë si dhe është themeluar sektori i menaxhimit të mbeturinave.