2019/06/21 - 1:51
Komiteti për Politikë dhe Financa i Komunës së Gjakovës, nën kryesimin e kryesuesit Anton Shala ka mbajtur mbledhjen e gjashtë për vitin në vijim. Pas miratimit të pikave të propozuara nga kryesuesi për këtë takim, më pas është shqyrtuar dhe miratuar Korniza Afatmesme Buxhetore (KAB) për vitet 2020-2022. Para se të votohej për shqyrtim dhe miratim nga anëtarët e KPF-së, ku nga anëtarët e këtij komiteti u dhanë edhe sugjerime dhe propozime shtesë, nga Durim Halilaj, drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa është bërë prezentimi detaj i kësaj kornize. Sipas kësaj kornize, burimet e financimeve komunale, që vie sipas qarkores së parë të këtij viti, për këto tre vite do të jetë kësisoj: Viti 2020 do të jetë 27,252,717.00 euro, viti 2021 do të jetë 28,186,4233.00 euro, ndërkaq viti 2022 do të jetë 29,320,898.00 euro. Siç edhe dallohet nga këto të dhëna zyrtare, buxheti në çdo vit do të ketë ndryshime në favor të rritjes. Drejtori Durim Halilaj, ndër tjerash ka thënë edhe se kjo kornizë është në kontekst të vizionit për një komunë të vlerave dhe të standardeve të mirëfillta në të gjitha sferat jetësore si dhe me mision për rritje të mirëqenies dhe të përmirësimit të kushteve të jetës së qytetarëve, ndërkohë që prioritet për financim kanë projektet të cilat janë në vazhdimësi, të cilat kanë nisur vite më parë, si dhe ato që janë në harmoni me prioritetet e Komunës.
Nga anëtarët e KPF-së është miratuar edhe Plani Lokal i Veprimit në Mjedis për Komunën e Gjakovës për vitet 2019-2023, ku sipas zyrtarit të DUMM-së, Fatos Deda, qëllimi i tij është që të krijojë politika të përbashkëta të mbrojtjes së mjedisit në kontekst të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm të komunës së Gjakovës. Ky plan përfshin zhvillimin e vizionit të komunitetit, vlerësimin e çështjeve mjedisore, përcaktimin e prioriteteve, identifikimin e strategjive më të përshtatshme për adresimin e problemeve kryesore dhe zbatimin e veprimeve me qëllim të arritjes së përmirësimeve reale mjedisore dhe shëndetësore.
Ky projekt është financuar nga Komuna e Gjakovës, ndërkaq është zbatuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC), Zyra në Kosovë, si dhe është përkrahur nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor
Poashtu është votuar edhe Plani Lokal i Veprimit në Biodiversitet (PLVB) i Komunës së Gjakovës për vitet 2019-2023, ku po sipas zyrtarit Fatos Deda, qëllimi i tij është krijimi i një plani sa më të kompletuar gjithëpërfshirës të aktiviteteve për mbrojtjen dhe përparimin e mjedisit jetësor.
Ky projekt është financuar nga Komuna e Gjakovës dhe zbatuar nga REC (Qendra Rajonale e Mjedisit).
Për shqyrtim në mbledhjen e radhës së Kuvendit Komunal nga KPF-ja është miratuar edhe themelimi i Komitetit Konsultativ për Personat me Aftësi të Kufizuara.