Republika e Kosoves

Gjakovë

Mbahet mbledhja e radhës e Kuvendit Komunal

2021/02/26 - 12:30

Është mbajtur sot mbledhja e dytë për vitin 2021 e Kuvendit të Komunës së Gjakovës, në të cilën janë shqyrtuar dhe janë votuar të gjitha pikat e rendit të ditës të propozuara nga kryesuesi i kuvendit Anton Shala dhe kryetari i komunës Ardian Gjini.
Me propozim të kryetarit Gjini, si pikë e veçantë është futur dhe është miratuar unanimisht propozimi për nisjen e procedurave të shpronësimit në segmentin nga qendra e qytetit deri në dalje të qytetit në drejtim të Pejës. Nevoja për shpronësim vjen pas nënshkrimit të djeshëm të memorandumit në mes të kryetarit Gjini dhe ministrit të Infrastrukturës Arban Abrashi për fillimin e punimeve për zgjerimin e rrugës hyrëse në këtë segment.
Ndërsa, sipas propozimit të kryesuesit Shala janë shqyrtuar dhe miratuar Propozim – Vendimi për caktimin e lokacionit për ndërtimin e fushës futbollistike në fshatin Korenicë, plani i punës së KKSB-së për vitin 2021, raporti i punës për ndërmarrjet Publike Komunale “Stacioni i Autobusëve” dhe “Çabrati”.
Ndërsa, nga ana e përfaqësuesve të drejtorisë për Punë Inspektuese është dhënë informata për shqiptimin e gjobave për mos respektimin e Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid 19 gjatë fushatës elektorale.