Republika e Kosoves

Gjakovë

Mbahet mbledhja e rradhës e KKSB-së

2020/07/07 - 1:22

Është mbajtur sot mbledhja e rradhës e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB).
Temë kryesore e këtij takimi ishte gjendja aktuale e krijuar si pasojë e virusit Covid-19, me ç’rast para anëtarëve të KKSB-së ka raportuar UD i drejtorit të drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale Ferdinand Kolaj.
Drejtori Kolaj ka njoftuar se dy javët e fundit ka pasur një rritje të numrit të qytetarëve të infektuar me Covid-19, ndërsa fatkeqsisht është rritur edhe numri i viktimave, pasi vetëm gjatë ditëve të fundit është konstatuar se 3 qytetarë të komunës së Gjakovës që kanë ndërruar jetë, gjithashtu kanë qenë të infektuar me Covid-19.
Nga ana tjetër, kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini ka thënë se institucionet lokale janë duke e bërë maksimumin jo vetëm për parandalimin e virusit, por edhe për vetëdijësimin e qytetarëve për të shtuar masat mbrojtëse.
Ndryshe, të gjithë anëtarët e KKSB-së kanë dalur me një apel të përbashkët drejtuar qytetarëve, me lutjen për më shumë kujdes, pasi asnjë veprim institucional nuk mund të jetë efikas nëse vet qytetarët nuk janë të vetëdijshëm dhe nuk vetmbrohen nga virusi.
Në këtë takim ka raportuar edhe komandanti i stacionit policor në Gjakovë major Tush Markaj, i cili ka folur për gjendjen e sigurisë në komunën tonë. Major Markaj me këtë rast ka deklaruar se gjendja e sigurisë kryesisht është e qetë dhe stabile.
Me kërkesë të kryetarit Gjini, në kë takim është diskutuar edhe për gjendjen e krijuar si pasojë e djegies së mbeturinave në stacionin transfer në lagjen Kolonia.
Lidhur me këtë temë kryetari Gjini ka bërë të ditur se policia është duke kryer hetime ndërsa sipas dyshimeve të para në këtë lokacion ka pasur zjarrvënie të qëllimshme, veprim i cili po ndodhë tash e disa vjet.