Republika e Kosoves

Gjakovë

Mbahet mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë dhe Financa

2018/06/18 - 1:54

Komiteti për Politikë dhe Financa i Komunës së Gjakovës, sot ka mbajtur mbledhjen e saj të pestë të rregullt, ku pas miratimit të pikave të rendit të ditës, të propozuara nga kryesuesi Anton Shala, të njëjtat janë trajtuar dhe janë miratuar për mbledhjen e ardhshme të Kuvendit të Komunës.

Pas miratimit qe informata mbi gjendjen e sigurisë në komunën e Gjakovës të raportohet në mbledhjen e radhës së Kuvendit të Komunës, më pas, nga Durim Halilaj, drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa është bërë prezentimi i Kornizës Afatmesme Buxhetore për vitet 2019-2021. Nga ky prezentim, është pohuar se kjo kornizë bazohet në kufizimet buxhetore, nga projektet e kërkuara dhe të vlerësuara si më prioritare, si dhe nga rritja e të hyrave vetanake, ku do të ketë rritje për shkak të fillimit të pagesës së tatimit në tokë. Drejtori Durim Halilaj poashtu ka bërë të ditur se buxheti për vitet në vijim do të jetë përherë më i ngritur. Kështu, në vitin 2019 do të jetë 24,785,173.00 euro( apo 1.5 milion më i lartë se i vitit aktual), në vitin 2020 buxheti do të jetë në shumë prej 25,635, 076.00 euro, ndërkaq në vitin 2021 buxheti do të jetë në vlerë prej 26,581, 707.00 euro.

Po nga drejtori Durim Halilaj është bërë edhe prezentimi i raportit të auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Gjakovës për vitin 2017, ku janë konstatuar 19 shkelje, ku ndër tjerash veçohet suficiti në shumë prej dy million euro, kontratat e zgjatura për shërbime të veçanta, e të tjera. Arben Bakalli, drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Mbrotjtje të Mjedisit ka paraqitur kërkesën për shfuqizimin e vendimit nr. 011-2042, të datës 26.04.2012, për miratimin e projektit ideor urbanistik-arkitektonik “Kampusi Universitar-Gjakovë”, kërkesë kjo e ardhur nga Universiteti “Fehmi Agani”, për shkak të ndryshimit të numrit të fakulteteve, nga pesë në tre sosh. Ndërsa Fatos Deda, këshilltar profesional në DUMM, ka ofruar vendimet për marrjen nën mbrojtje të trashëgimisë natyrore në komunën e Gjakovës, ku bëhet fjalë për dhjetë lokalitete.