Republika e Kosoves

Gjakovë

Mbahet mbledhja e tretë e Komitetit për Politikë dhe Financa

2018/04/19 - 1:30

Komiteti për Politikë dhe Financa i Komunës së Gjakovës, sot ka mbajtur sot mbledhjen e tretë me rradhë.

Pas shqyrtimeve të pikave të rendit të ditës, të njëjtat do të trajtohen në mbledhjen e radhës së Kuvendit të Komunës. Fillimisht, Shkumbin Kastrati, drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike ka dhënë informatën mbi menaxhimin e situatave në mirëmbajtjen e rrugëve dhe trotuareve gjatë sezonit dimëror, duke konstatuar se kanë qenë të tenderuara dy kompani, njëra për zonat urbane ndërsa tjetra për zonat rurale, dhe në përgjithësi ka qenë një menaxhim i kënaqshëm duke mos sjellë pasoja apo pengesa të ndryshme, sidomos në trafik. Komuna, ka sqaruar drejtori Shkumbin Bytyqi, menaxhon me treqind kilometra rrugë dhe për periudhën tremujore të mirëmbajtjes dimërore për këtë vit janë shpenzuar rreth gjashtëdhjetë mijë euro.

Më pas, po nga drejtori Shkumbin Kastrati është dhënë edhe informata mbi menaxhimin e mbeturinave, duke pohuar se ka shenja të përmirësimit dhe se do të fillohet me implementimin e ligjit për mbeturina, ku do të formohet edhe një komision i përbërë nga katër drejtori, e njëherit do të fillohet edhe me shqiptimin e gjobave mandatare.

Sipas pohimeve të drejtorit Shkumbin Kastrati, kamerat e vendosura në qytet kanë identifikuar disa kompani të papërgjegjshme të cilat bëjnë hedhjen e mbeturinave në vende joadekuate, dhe se do të fillohet edhe me masa ndëshkuese edhe ndaj tyre.

Ndërkaq, Gani Rama, udhëheqës i sektorit të financave në Drejtorinë për Buxhet dhe Financa ka dhënë informatën e parë periodike financiare për vitin fiskal 2018, ku është theksuar se buxheti i nxjerrë nga Kuvendi Komunal dhe i aprovuar në shumë prej 23.266.602,53 euro, ka pësuar ndryshime gjatë periudhës janar-mars 2018 për të hyrat nga donacionet dhe participimet në vlerë prej 115.395,42 euro dhe se buxheti i përgjithshëm periodik gjatë kësaj periudhe është 23.381.997,95 euro.