Mbahet mbledhja e tretë për vitin 2023 e Komitetit për Politikë dhe Financa
2023/03/16 - 3:09
Nën udhëheqjen e Kryesueses së Kuvendit të Komunës Arbënesha Kuqi është mbajtur mbledhja e tretë për këtë vit e Komitetit për Politikë dhe Financa e Kuvendit të Komunës .
Fillimisht është shqyrtuar procesverbali i mbledhjes së kaluar të mbajtur më datë 24 shkurt 2023.
Më pas, Drejtori për Buxhet dhe Financa Durim Halilaj ka prezantuar para anëtarëve të KPF-së Raportin Final Financiar të Komunës së Gjakovës për vitin 2022. Ai ka informuar që në vitin që lamë pas, Komuna e Gjakovës ka pasur rritje të të hyrave vetanake, rrjedhimisht edhe rritje të buxhetit, falë qytetarëve por edhe punës së administratës komunale e cila gjë përkthehet në investime kapitale.
Drejtori Halilaj ka prezantuar edhe pikën e rendit të ditës lidhur me bartjen e buxhetit të pashpenzuar nga viti 2022 në vitin aktual 2023. Ai tha se këto mjete që pritet të barten, është planifikuar të shpenzohen në projekte kapitale.
Pikat e rendit të ditës të prezantuara në mbledhjen e KPF-së janë votuar nga të gjithë anëtarët, në mënyrë që të njëjtat të diskutohen në mbledhjen e radhës të Kuvendit të Komunës. Ata patën pyetje dhe paqartësi, përgjigjet e të cilave i morrën nga drejtori Halilaj.