Republika e Kosoves

Gjakovë

Mbahet takimi i radhës i Këshillit të Partneritetit Publiko – Privat

2018/07/26 - 1:44

Është mbajtur sot takimi i tretë i Këshillit të Partneritetit Publiko – Privat, organizëm ky që është formuar me iniciativë dhe propozim të kryetarit të komunës së Gjakovës Ardian Gjini.
Si pikë e parë e rendit të ditës ishte prezantimi i iniciativës dhe projektit për themelimin e Zonës së Lirë Amerikane në Gjakovë, nismë kjo e komunës së Gjakovës dhe qeverisë së Kosovës. Në fjalën e tij gjatë këtij prezantimi, kryetari Gjini ka njoftuar se zyra e kryeministrit të Kosovës tashmë ka nisur punët konkrete për realizimin e këtij projekti, ndërsa ka shtuar se krijimi i kësaj zone është një hap i madh i cili e ndërron krejtësisht kapitullin e Gjakovës.
Kryetari Gjini ka thënë se kjo zonë do të ketë kapacitete të mëdha ekonomike, prandaj bizneset e Gjakovës duhet të përgatiten që të përfitojnë sa më shumë nga ky projekt.
Këshilli i Partneritetit Publiko – Privat gjithashtu ka propozuar 5 emra nga bizneset lokale që të jenë pjesë e bordit të këtij këshilli, ndërsa 6 emra tjerë do të propozohen nga kryetari Gjini.