Republika e Kosoves

Gjakovë

Me nderime të larta i ipet lamtumira e fundit arkitektit të njohur gjakovar Skënder Këpuska

2020/02/12 - 1:35

Ka vdekur dhe është varrosur me nderime të larta Skënder Këpuska, njëri prej arkitektëve më të vjetër dhe më produktiv të komunës së Gjakovës.

Në një Akademi Përkujtimore të mbajtur në nderim të tij, vepra e arkitektit Skënder Këpuska është vlerësuar lartë, teksa është shprehur bindja se trashëgimia arkitektonike që i ndjeri Këpuska ka lënë pas vetës do të përcillet brez pas brezi e nuk do të harrohet asnjëherë.

Një fjalë rasti në respekt të arkitektit Skënder Këpuska e ka mbajtur edhe kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini, nën patronatin e së cilit edhe është organizuar kjo akademi dhe ceremonia e lamtumirës për të ndjerin Këpuska. Kryetari Gjini ka thënë se Gjakova do ta nderojë dhe do ta respektojë gjithmonë kontributin që arkitekti Skënder Këpuska e ka dhënë në ndërtimin e qytetit të Gjakovës.

Ndryshe, arkitekti Skënder Këpuska njihet për projektimin e disa prej veprave më të rëndësishme të arkitekturës në qytetin e Gjakovës, përfshirë këtu Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, ndërtesa e ish KRU “Radoniqi” e të tjera.