Republika e Kosoves

Gjakovë

Nis asfaltimi i rrugëve edhe në 3 fshatra të Gjakovës

2020/09/25 - 12:32

Kanë nisur sot së asfaltuari disa akse rrugore në fshatrat Dujakë, Gergoc dhe Borodsanë, investime këto që pothuajse e përfundojnë në tërësi infrastrukturën rrugore në këto fshatra.

Në ceremoninë e fillimit të punimeve ka marrë pjesë edhe kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini, i cili mes tjerash ka thënë se nisja e këtyre rrugëve padyshim që është një lajm i mirë për banorët, por në të njëjtën kohë është edhe një kënaqësi edhe për të dhe qeverisjen lokale, pasi përfundimisht, banorët e këtyre fshatrave e në veçanti fëmijët, po largohen një herë e përgjithmonë nga balta dhe pluhuri.

Kryetari Gjini ka rikujtuar se këto ditë komuna e Gjakovës e ka shtuar tempon e punimeve për rrugë të reja në pjesë të ndryshme të komunës së Gjakovës, me të vetmin qëllim që deri në fillim të vitit 2022 e tërë komuna e Gjakovës të bëhet me infrastrukturë rrugore dhe më tej kapacitetet investive të fokusohen në projekte tjera, po ashtu të nevojshme dhe të rëndësishme për qytetarët.

Ndryshe, pas fillimit të punimeve në 6 lokacione të ndryshme gjatë dy ditëve të fundit, projekte të tilla pritet të nisin edhe në javën e ardhshme, duke përfituar kështu edhe nga moti e mirë, që do të mundësojë realizimin e shpejtë të këtyre projekteve.