Republika e Kosoves

Gjakovë

Nis fushata “Gara për Gjakovë të pastër”

2019/03/20 - 3:04

Ka nisur sot fushata “Gara për Gjakovë të pastër”, një aktivitet ky që fton në garë për ambient të pastër të gjitha lagjet, fshatrat e shkollat e komunës së Gjakovës.

Hapjen e kësaj fushate e ka bërë kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini, i cili në fjalën e tij ka thënë se është shumë e rëndësishme që qytetarët e komunës së Gjakovës të bëhet së bashku jo vetëm për pastrimin e ambienteve ku jetojë por edhe për ruajtjen dhe mbajtjen pastër të këtyre ambienteve.

Gara që ka nisur sot, do të përmbyllet me 15 qershor, kur edhe do të zgjidhet lagjja më e pastër dhe shkolla me ambientin më të pastër.

Çdo aksion për pastrim që do të ndërmerret gjatë këtyre ditëve do të prezantohet në rrjetin social Facebook dhe më të mirët do të shpërblehen. Lagjja më e mirë do të shpërblehet me investime në vlerë 10,000.00 euro, lagjja me vendin e dytë do të shpërblehet me 6,000.00 euro dhe lagjja e tretë me 4, 000.00 euro investime. Shpërblimet për shkollat me ambientin më të pastër do të jenë këto: vendi i parë 5,000.00 euro, vendi i dytë 3,000.00 euro dhe vendi i tretë 2,000.00 euro.

Në kuadër të kësaj fushate, sot ka nisur edhe pastrimi i lumit “Krena”, pastrimi i ambienteve të shkollës “Emin Duraku”, ngjyrosja e muralit në lumin “Krena” si dhe janë shpërndarë kontejnerë të përbashkët për banesat kolektive.

Ndryshe, kjo fushatë është ideuar dhe organizuar nga komuna e Gjakovës, ndërsa është përkrahur edhe nga KRM Çabrati, BONEVET Gjakova, Green Art Center, Let’s Do It Kosova, Iniciativa e Femrës Kosovare – IFK e të tjera.