Republika e Kosoves

Gjakovë

Nis ndërtimi i qendrës së Edukimit jo – formal

2019/07/11 - 1:29

Është vënë sot gurthemeli për fillimin e fazës të dytë të Qendrës së Edukimit Jo – formal të të rinjve – kampi YMCA në Pjetërshan, projekt ky i financuar nga ministria për Kulturë, Rini dhe Sport dhe i përkrahur nga komuna e Gjakovës.
Në ceremoninë e vënies së gurthemelit, kanë marrë pjesë edhe kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini, ministri MKRS-së Kujtim Gashi, zëvendësministrja e MKRS-së Burbuqe Bakija – Deva dhe përfaqësues tjerë të organizatave të ndryshme rinore.
Drejtuesja e organizatës YMCA, Dorina Lluka Davies, ka njoftuar se kjo qendrës është e vetmja e këtij lloji në Rajon, prandaj edhe është një projekt tejet i mirëseardhur për Gjakovën, pasi ky kamp në të ardhmen do të mbledh qindra të rijnë nga e tërë bota, duke u bërë kështu një mjet i mirë promovimi për Pjetërshanin, Gjakovën dhe Kosovën në tërësi. Ajo ka thënë se ky projekt nuk do të mund të realizohej, sikur të mos ekzistonte ndihma e pakursyer e MKRS-së dhe komunës së Gjakovës.
I lumtur me faktin se Gjakova ka pasur fatin ta ketë një qendër të tillë është shprehur edhe kryetari i komunës Ardian Gjini, i cili ka shtuar se komuna do të vazhdojë ta përkrahë këtë kamp, për faktin se ky kamp është një vlerë e shtuar për Gjakovën dhe qytetarët e saj.
Nga ana tjetër, ministri i MKRS-së Kujtim Gashi, ka thënë se financimi i këtij projekti ka qenë një ndryshim i madh i politikave rinore për qeverinë e Kosovës, duke ofruar një qasje tjetër, të pa ofruar nga qeveritë e deritashme, për zhvillimin e këtij sektori.
Ndryshe, kampi në fjalë do të menaxhohet dhe financohet nga organizata YMCA, njëra prej organizatave më të mëdha për të rinjtë në botë. Ky kamp synon të grumbullojë dhe socializojë përmes projekteve të ndryshme, të rijnë nga e tërë bota.