Republika e Kosoves

Gjakovë

Nis pastrimi i deponisë së mbeturinave në “Ali Ibra”

2020/07/22 - 12:27

Ka nisur sot pastrimi i tërësishëm i mbeturinave në Stacionin Transfer në lagjen “Ali Ibra”, lokacion i cili për javë të tëra ka shkaktuar tym dhe erë të keqe, si pasojë e djegies së mbeturinave në të.

Gjatë ditës, në këtë lokacion ka qëndruar edhe kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini, i cili është shprehur i lumtur që pas shumë vitesh, po merr fund një problematikë që ka qenë shumë shqetësuese për tërë qytetarët e Gjakovës.

Sipas kryetarit Gjini, komuna është angazhuar që me urgjencë të bëj zgjidhje për këtë situatë, prandaj, pas sigurimit të mjeteve nga qeveria e Kosovës, respektivisht ministri Blerim Kuqi, me procedura emergjente edhe është përzgjedhur operatori që do ta bëj pastrimin e tërësishëm të zonës.

Në bazë të një plani dinamik tashmë të ndërtuar, kjo pjesë, përfshirë të gjitha mbeturinat do të pastrohet në tërësi në një afat prej 40 deri 50 ditësh, ndërsa nëse pas pastrimit të mbeturinave në sipërfaqe, haset edhe në mbeturina nën sipërfaqen e tokës, atëherë ky aksion do të vazhdojë edhe më tej, deri në eliminimin e plotë të mbeturinave.

Kryetari Gjini, ka siguruar qytetarët se operatori do të punojë pa ndërprerë, 24 orë në ditë, ndërsa gjatë tërë kohës do të asistohet nga punëtorët e KRM “Çabrati”, zjarrfikësit dhe pjesëtarët e policisë, të cilët do ta bëjnë sigurimin e plotë të zonës. Sipas planifikimeve, pas pastrimit të tërësishëm, parashihet që kjo zonë të rehabilitohet në tërësi, duke e bërë rrethimin dhe mbjelljen e saj me drunj të ndryshëm dekorativ.

Sipas kryetarit Gjini, në qytetin e Gjakovës mund të ketë tym dhe erë të keqe edhe për 2 apo 3 ditë, për shkak të rrëmihjes së mbeturinave dhe djegies së vazhdueshme të tyre, por lajmi i mirë është që ky problem do të marrë fund një herë e përgjithmonë dhe atë shumë shpejtë.

Ndryshe, kryetari Gjini dhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës, kanë njoftuar se kjo temë tashmë është edhe subjekt i hetimeve penale dhe kriminale, pasi ekzistojnë dyshime të bazuara se zjarrvënja ka qenë e qëllimshme dhe për këtë, është obligim i institucioneve që shakatarët e këtij kaosi mjedisor të dalin para drejtësisë.

Fare, në fund, kryetari Gjini ka kërkuar falje nga të gjithë qytetarët e komunës së Gjakovës, duke shtuar se si bashkëqytetar i tyre edhe ai personalisht bashkë me familjen e tij kanë qenë të prekur nga ndotja e ajrit.