Republika e Kosoves

Gjakovë

Nisin Dëgjimet Buxhetore për buxhetin e vitit 2022

2021/08/26 - 8:46

Me takimin e mbajtur në fshatin Skivjan në regjionin e Rekës së Mirë, Kuvendi i Komunës së Gjakovës dhe drejtoria për Buxhet dhe Financa kanë nisur fazën e dëgjimeve Buxhetore, proces ky që përmes bashkëbisedimit me qytetarët, i paraprinë miratimit të buxhetit komunal për vitin fiskal 2022.
Duke folur para banorëve të fshatrave Skivjan, Hereq, Dujakë, Planqor, Osek e të tjera, drejtori i drejtorisë për Buxhet dhe Financa Durim Halilaj ka njoftuar se buxheti komunal për vitin 2022 është rreth 27 milion e 800 mijë euro, prej të cilave rreth 9 milion janë investime të drejtëpërdrejta kapitale të cilat planifikohet të rikthehen tek qytetarët. Sipas tij, kjo është shuma më e madhe që ka ekzistuar ndonjëherë në këtë pjesë të shpenzimeve.
Drejtori Halilaj dhe drejtori i Shërbimeve Publike Shkumbin Kastrati kanë përmendur investimet e bëra deri me tani në fshatrat e këtij regjioni dhe planet për investimet në periudhën e ardhshme konkretisht në vitin 2022, ndërsa kanë kërkuar nga banorët propozime konkrete në menyrë që të njejtat të inkorporohen në planifikimin e investimeve kapitale.
Nga ana tjetër banorët thanë se janë të kënaqur me investimet e deritashme në këtë regjion në veçanti me investimet e bëra në infrastrukturë rrugore e ndriçim publik të cilat janë kryer në masë mbi 95%. Sipas tyre fshatrat e këtij regjioni tashmë kanë nevojë për investime në rrjetin e kanalizimit dhe në përkrahje të sektorit të bujqësisë përmes ndërtimit të pendave dhe kanaleve të ujitjes.
Dëgjimet Buxhetore do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme në regjione tjera të komunës së Gjakovës.