Republika e Kosoves

Gjakovë

Nisin punimet për parkun e madh të qytetit

2019/04/17 - 2:43

Kanë nisur sot punimet për rregullimin e parkut të madh të qytetit. Në ceremoninë e fillimit të punimeve ka marrë pjesë edhe kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini, i cili ka thënë se ky është një projekt shumë i rëndësishëm për komunën e Gjakovës. Ai ka shtuar se ndjehet shumë i lumtur për fillimin e realizimit të këtij projekti, pasi të njëjtin e llogaritë si njërin prej projekteve më të përzemërta, e të cilit i ka qëndruar afër personalisht në të gjitha detajet.

Ndryshe, parku i madh i qytetit pritet të jetë parku më unik në Kosovë, jo vetëm për shkak të madhësisë në sipërfaqe, por edhe për shkak të shumë veçorive tjera që pritet t’i ketë. Njëra prej karakteristikave të këtij parku do të jetë, llojllojshmëria e bimësisë, pasi është llogaritur që në hapësirën e tij të mbillen të gjitha llojet e bimëve që rritet në Kosovë, përfshirë ato drunore, shkurrore dhe të pemishteve.

Në brendësi të parkut është paraparë të ekzistojnë edhe dy kafeteri të vogla, një dyqan për shitjen e luleve dhe një librari, elemente këto që do t’ia shtojnë parkut karakterin e vendit për qëndrim rekreativ dhe edukativ.

Parku do të jetë i rrethuar me një mur rrethues në gjatësi prej 80 cm, ndërsa do të ketë 6 hyrje dhe dalje të ndryshme përmes 3 llojeve të portave. Sipas projektit, portat dhe muri do t’i japin një karakter të veçantë në tërësi parkut, të gërshetuar edhe me elemente tjera që e karakterizojnë pamjen e vjetër të qytetit të Gjakovës.

I tërë projekti do të kushtojë 360 mijë euro dhe planifikohet të përfundojë brenda vitit 2019.