Republika e Kosoves

Gjakovë

Nisin punimet për tri rrugë të reja në Gjakovë

2020/09/24 - 2:11

Banorët e lagjes së Çabratit, ata të Dardanisë (ish-Piskotës) si dhe ata të fshatit Osek Hylë, shumë shpejtë do t’i gëzohen rrugëve të reja, punimet për rregullimin e së cilave kanë nisur sot.

Kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini, i cili ka marrë pjesë në ceremonitë e fillimit të punimeve për këto rrugë, bashkë me banorët ka shprehur kënaqësinë që komuna po arrin që me investimet e veta të krijojë infrastrukturë dhe kushte më të mira, duke bërë që një herë e përgjithmonë qytetarët e këtyre vendbanimeve të largohen nga pluhuri dhe balta.

Kryetari Gjini ka shtuar se ai dhe qeverisja lokale janë të përkushtuar që sa më shpejtë të përmbyllin investimet në infrastrukturë rrugore, dhe asnjë lagje apo asnjë fshat të mos mbetet pa rrugë të asfaltuar dhe lehtësisht të qasshme. Megjithatë, kryetari Gjini ka thënë se e tërë kjo pritet të arrihet jo më larg se në vitin 2022, pasi situate me pandeminë e ka pamundësuar që komuna të përmbyllë të gjitha investimet e kësaj natyre brenda vitit 2021.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme kanë filluar punimet në 13 segmente rrugore në lagjen e Çabratit, me një gjatësi totale prej 1.6 kilometrash, në lagjen e Dardanisë me një gjatësi totale prej mbi 600 metrash dhe në fshatin Osek Hylë në gjatësi totale prej 1.1 kilometrash.

Duke folur për rëndësinë e këtyre rrugëve, kryetari Gjini ka thënë se ato mund të jenë të vogla si vlerë e investimit, por të njëjtat janë shumë të vlefshme dhe të rëndësishme për banorët, prandaj edhe është shprehur tejet i lumtur për këtë.