Republika e Kosoves

Gjakovë

Një delegacion nga bashkia e Sarandës vizitojnë Gjakovën

2018/12/12 - 8:40

Një delegacion nga qyteti i Sarandës, i prirë nga kryetarja e bashkisë znj. Florjana Koka po qëndron për një vizitë në qytetin e Gjakovës.
Mysafirët nga Saranda sot janë pritur në komunën e Gjakovës, fillimisht nga shefi i Kabinetit të kryetarit Gjini, z. Agim Koci e më pastaj edhe nga vet kryetari z. Ardian Gjini.
Gjakova dhe Saranda, sikurse edhe të gjitha qytetet tjera në Kosovë dhe Shqipëri, kanë nevojë për më shumë vizita dhe takime të këtij lloji, pasi qytetarët në të dyja anët e kufirit kanë nevojë për njohje dhe miqësi më të madhe me njëri tjetrin. Në frymën e kësaj, udhëqësit e dy qyteteve janë dakorduar që të rrisin bashkëpunimin konkret, duke filluar nga ekskurzioni i organizuar i nxënësve në të dyja qytetet, pastaj bashkëpunimi në aspektin ekonomik e deri tek ofrimi i përvojave profesionale nga profesionistë të shumtë të të dyja qyteteve.
Për tu njohur më shumë me historinë, traditën dhe kulturën e qytetit të Gjakovës, mysafirët nga Saranda të shoqëruar nga zyrtarët komunal kanë vizituar disa prej institucioneve më të rëndësishme të trashëgimisë, atyre kulturore e fetare, siç janë Xhamia e Hadumit, Teqja e Bektashive dhe ajo e sheh Eminit, Pallati i Kulturës “Asim Vokshi”, Bibloteka “Ibrahim Rugova”, Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova”, e të tjera. Paprarakisht, të dy delegacionet edhe kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora me lule tek lapidari “Shokët e Lirisë”, duke nderuar kështu të gjithë heronjtë dhe dëshmorët e komunës së Gjakovës.