Republika e Kosoves

Gjakovë

Rivarroset martiri Vegim Kasim Qerkezi

2020/07/03 - 1:21

Me nderime të larta dhe respekt maksimal është rivarrosur sot martiri Vegim Kasim Qerkezi, i cili bashkë me shumë të tjerë ishte rrëmbyer nga forcat serbe me 27 mars të vitit 1999.
Në ceremoninë e varrimit, në Kompleksin Memorial të martirëve, në kodrën e Çabratit, qytetarë të shumë kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora me lule, në varrin, ku tashmë pas 21 vitesh do të prehet i qetë martiri Vegim Qerkezi.
Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të institucioneve lokale e qendrore, në mesin e tyre edhe kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini dhe zëvendës ministri drejtësisë Florian Dushi.
Në fjalën e tij, kryetari Gjini mes tjerash ka thënë se përkundër mërzisë që ka shkaktuar humbja e hershme e Vegimit, kthimi i eshtrave të tij, megjithatë është një lehtësim për familjen Qerkezi, pasi tashmë i ndjeri prehet i qetë në tokën e vendlindjes dhe pranë bashkëqytetarëve të tij.
Nga ana tjetër, zëvendës ministri Dushi, ka thënë se nevojitet këmbëngulësi e të gjitha institucioneve vendore e ndërkombëtare, në mënyrë që sa më shpejtë të zbardhet fati edhe i personave tjerë të pagjetur por në të njëjtën kohën të dalin edhe para drejtësisë kryesit e krimeve makabër që janë bërë ndaj popullit të Kosovës.