Republika e Kosoves

Gjakovë

Shumë aktivitete sportive e kulturore në nderim të “17 Shkurtit”

2021/02/08 - 1:19

Në kuadër të shënimit të 17 Shkurtit, përvjetorit të pavarësisë së republikës së Kosovës, komuna e Gjakovës, përkatësisht drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport, ka organizuar një sërë aktivitetesh kulturore e sportive, të cilat nisin që nga sot, për të përfunduar me 17 shkurt, në ditën e Pavarësisë.

Aktivitetet kanë nisur me turneun në Futsall me pjesëmarrjen e ekipeve “Vlora”, “Ulqini”, “Letaj” dhe “Liburni” nga Gjakova si nikoqir.

Hapjen e këtij turneu dhe që nisë kështu aktivitetet e shumta e ka bërë kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini, i cili në fjalën e tij ka thënë se 17 Shkurti është njëra prej festave më të rëndësishme për Kosovën prandaj edhe komuna bashkë me DKRS-në janë angazhuar që, përkundër vështirësive që ka krijuar pandemia, të krijojë një atmosferë festive.

Nga ana tjetër, Saranda Hyseni, drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport, ka bërë të ditur se përgjatë këtyre ditëve do të ketë aktivitete sportive të ngjeshura me një pjesëmarrje që e tejkalon numrin prej 500 sportistësh nga të gjitha trevat shqiptare.

Pas turneut në Futsall, dita ka vazhduar me turneun në futboll të madh, kategoria e veteranëve, me pjesëmarrje të përfaqësues së Kosovës si dhe ekipeve të “Vëllaznimit” dhe “Gjakovës”.