Republika e Kosoves

Gjakovë

U mbajt dëgjim publik me qytetarë për Zonën Ekonomike Armerikane

2018/08/02 - 1:18

Pas vendimit të qeverisë së Kosovës për caktimin e lokacionit të Zonës Ekonomike Amerikane në Gjakovë, sot është mbajtur dëgjimi publik me qytetarë për shpronësimin e kësaj zone, ku zyrtarë nga qeveria qendrore dhe lokale kanë dhënë shpjegimet e tyre për shpronësimin e zonës. Afrim Murati, drejtor i Departamentit për Shpronësim në Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor, ka bërë të ditur se kanë qenë tri-katër lokacione të propozuara për një zonë të tillë në mjedise të ndryshme të Kosovës, porse pas analizave është ardhur në përfundim që pasi kjo zonë i plotëson më së shumti disa kritere të përcaktohet për ndërtim në komunën e Gjakovës, e cila si e tillë ka ardhur me vendim të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës dhe pas kërkesës së kryetarit të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini. Nga zotëri Murati gjithashtu është thënë se në këtë zonë nuk ka konteste pronësore, pasi e tëra është në pronësi publike dhe në bazë të ligjit i mundëson qeverisë së Kosovës një vendim të tillë dhe se më pas e tërë prona e shpronësuar kalon në pronësi të qeverisë qendrore. E tërë procedura e shpronësimit besohet të kryhet më së largu edhe dy muaj.
Afërdita Lama, drejtore e Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Gjakovës, para qytetarëve të pranishëm ka sqaruar në detaje për specifikat e kësaj hapësire që është përcaktuar për ndërtimin e Zonës Ekonomike Amerikane, lokacion ky që nuk ka asnjë kontest pronësor pasi e tëra ka qenë në pronësi të KBI “Ereniku”.
Drejtoresha Afërdita Lama, ka informuar në detaje për këtë hapësirë, bëhet fjalë për 486 hektarë me tridhjetë prona shoqërore të KBI “Ereniku” dhe se krahasuar me kërkesat dhe aplikimet tjera në qeverinë e Kosovës, kjo zonë ka plotësuar më së shumti kriteret, pasi gjendet 3.7 kilometra largë aeroportit, 7.4 kilometra largë liqenit të Radoniqit si dhe mbi dy kilometra largë rrugës magjistrale Gjakovë-Prishtinë.