Republika e Kosoves

Gjilan

Kryetari Haziri mobilizon të gjithë udhëheqësit e institucioneve për aksionin “Ta pastrojmë Gjilanin”

2018/09/14 - 10:43

Gjilan, 14 shtator 2018 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me këshillin komunal të drejtorëve si dhe me përfaqësuesit e Kuvendit, ka takuar sot udhëheqësit e të gjitha institucioneve, duke përfshirë Gjykatën, Prokurorinë, Policinë e Kosovës, Forcën e Sigurisë së Kosovës, të Universitetit “Kadri Zeka”, Bashkësinë Islame, udhëheqësit e shëndetësisë në nivelin primar dhe sekondar, ndërmarrjet komunale dhe të tjerë, me të cilët ka bashkëbiseduar për organizimin masovik të aksionit për pastrim të Gjilanit, që fillon nesër.

Kryetari Haziri ka kërkuar pjesëmarrje masive nga të gjitha institucionet e përmendura dhe nga shoqëria civile e nga qytetarët, për të krijuar një ambient sa më të mirë.

Ai ka potencuar se takimi në qendër të qytetit, është nga ora 9:00, në sheshin “Agim Ramadani” për t’u shpërndarë pastaj në bazë të lokacioneve të caktuara me planin e veprimit.

“Pas takimit, shpërndarja e masës bëhet në drejtim të rrugës së Prishtinës, të Preshevës dhe të Bujanocit. Gjithashtu, secila shkollë, së bashku me komunitetin do të bëjë pastrimin e ambientit të vetë dhe të lagjes. Ekipe tjera do të pastrojnë varrezat e qytetit, varrezat e dëshmorëve, hapësirat përreth pendës, lumenjtë, parqet, institucionet dhe hapësirat rreth tyre, pastaj ambientin e institucioneve shëndetësore, të institucioneve të drejtësisë, të sigurisë dhe të mbrojtjes. Këshillat e fshatrave dhe lagjeve, së bashku edhe me Bashkësinë Islame dhe banorët nëpër këto lokalitete, do të pastrojnë fshatin, varrezat e fshatrave dhe hapësirat publike nëpër fshatra”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai gjithashtu ka bërë thirrje që bashkërisht të krijojmë një ambient të pastër për jetë, në mënyrë që java e parë e pastrimit të arrijë qëllimin e saj real, për të vazhduar pastaj me planin e gjelbërimit të zonave të ndryshme, kudo që është e nevojshme, në koordinim me komunitetin.

Kryetari ka apeluar te të gjithë qytetarët dhe komuniteti i biznesit, që t’i bashkohen aksionit për pastrim dhe të jenë kontribuues të ruajtjes së pastërtisë më vonë.

Të gjithë pjesëmarrësit tjerë në këtë takim kanë konfirmuar gatishmërinë e tyre për angazhim maksimal, në mënyrë që efekti i aksionit të jetë sa më i lartë.