Republika e Kosoves

Gjilan

Bie perdja! – Gjashtë shfaqje në festivalin “Talia e Flakës 2023”, pretendojnë pesë çmime prestigjioze

2023/01/29 - 10:33

Pas gjashtë ditësh intensive me prezantime të shfaqjeve të ardhura nga trupa teatrale të ndryshme nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut, mbyllet pjesa garuese e festivalit të dramës shqipe “Talia e Flakës 2023”.

Një numër i madh artdashësish kanë defiluar për gjashtë ditëve me radhë, nga 23 deri më 28 janar, në Teatrin e Qytetit të Gjilanit, ku është mbajtur festivali “Talia e Flakës 2023”, në administrim të OJQ “Varg e Vi”, nën patronatin e Zyrës së Kryetarit të Komunës, Alban Hyseni.

Dhjetëra mysafirë, artistë, mbase edhe qindra të tillë, kanë marrë pjesë drejtpërdrejtë nëpër shfaqje, përfshirë aktorë, regjisorë, skenografë e kostumografë, por edhe pjesëtarë tjerë teknik – ndriçues, por edhe autorë të dramave apo tekstshkrues.

Ata kanë defiluar në Teatrin e Qytetit të Gjilanit, duke ofruar “prurje unike skenike”, të realizuara gjatë vitit të fundit, përfshirë edhe shfaqje-premierë, siç ishte ajo e Fadil Hysaj “Fausti”, prodhim i tri teatrove nga tri qytete të Kosovës.

Në natën e fundit të festivalit të dramës “Talia e Flakës 2023”, është prezantuar shfaqja e Trupës së Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” nga Tirana, me titull “Pak Pakt”, dhe me aurtor, Ledian Gjeçi.

Në këtë shfaqje të shkruar e inskenuar nga vet Ledian Gjeçi janë ndërthurur probleme të shoqërisë në transicion, ku “ikja” e të rinjve është bërë imperativ i përditshmërisë në kërkim të një jetë më të mirë nëpër vendet e treta.

Në esencë shfaqja është një komedi e zezë, ku dy të rinjë të shkolluar mirë, por thellësisht të varfër e të mbytur në borxhe, kapen në flagrancë nga policia në periudhën e kulmit të pandemisë, duke tentuar të ikin jashtë shtetit në mënyrë ilegale.

Shpresa e tyre e vetme shkatërrohet totalisht, por për fat e koincidencë vjen dikush dhe u ofron një pakt, me të cilin ata mund të dalin nga burgu e mund të përfitojnë dokumente në çdo shtet evropian. Porse, ama paraprakisht, ata detyrimisht duhet të deklarohen publikisht sikur janë “Gay”, me pretekst se atje ku do të vejnë çmohet përcaktimi seksual si e drejtë fundamentale.

Për shfaqjen në fund u debatua si zakonisht, ndërsa kishte vlerësime të ndryshme, të cilat e pasqyruan edhe një herë rëndësinë e patjetërsueshme të mendimit e vlerësimit kritik, në debatet e udhëhequra me përpikmëri nga Liridonë Mehmeti, vlerësime e debate ato të cilat erdhën si imperativ për teatrin, si dhe patjetërsueshmëri e domosdoshme artistike-skenike.

Kishte mendime nga panelistë që diskutuan përmbajtjen; kishte nga ata që u fokusuan te tema, apo edhe te ideja; të tjerë panelistë folën për lojën e aktorëve apo çasjen regjisoriale, sikurse realizimin e tërësishëm skenik të shfaqjes. Por pati edhe të tillë që kritikuan epilogun apo fundin e shfaqjes, vetëvrasjen apo varjen në litar të djaloshit, të cilin akt e cilësuan jo mjaftueshëm të arsyetuar e të pamotivuar skenikisht, si ide që ka mundur të shmanget me një gjetje më ndryshe brenda logjikes dramatike, gjegjësisht vdekjes se personazhit.

Padyshim se një kontribut të veçantë me opinione e sqarime gjatë tërë festivalit të dramës ka dhënë sociologia Trina Hoti, e cila sërish foli për shfaqjen me fokus në rrafshin sociologjik, duke konstatuar shpërfaqjen e disa problematikave përnjëherë, të cilat shkaktojnë situata të tilla tragjike, si pasojë e problemeve të theksuara me të cilat përballet sistemi shëndetësor, ai i drejtësisë, por edhe fushave tjera të hallkës institucionale. Ndërsa studiuesja Trina Hoti vuri në pah edhe rolin e mediave që jo rrallë shkaktojnë probleme të paimagjinueshme, si pasojë e pasqyrimeve joreale e joprofesionale.

Për këtë shfaqje që përmbylli këtë edicion të “Talia e Flakës…”, kanë folur edhe panelistë tjerë, si Muhamet Halili që veçoi lojën e aktorëve, Hysen Kqiku e Avni Rudaku që u fokusuan te përmbajtja por edhe aspekte tjera të shfaqjes.

Krejt në mbyllje të tij, kritiku i teatrit Josif Papagjoni, i bëri një rezyme të thuktë rrjedhës së festivalit “Talia e Flakës 2023”.

Sipas tij, ky edicion ka shënuar një rënie të interesimit nga ana e panelistëve, krahasuar me edicionet e mëhershme kur numri i tyre ishte dukshëm më i madh, sikurse që ishin më të thella e më përmbajtësore gjykimet e vlerësimet kritike, përfshirë prezencën shumë më masive, si në panel ashtu edhe në pjesëmarrjen e publikut.

Papagjoni vlerësoi tipologjinë e prurjeve të ndryshme e të larmishme skenike të shfaqjeve, duke nënvizuar se pikërisht tipologjia e veçantë ishte ajo që e ka karakterizuar këtë edicion: – Shfaqja e parë, “Fausti”, me tekst e regji të Fadil Hysaj, tha se veçohej me ansamblin e numërt të aktorëve pjesëmarrës në të, por edhe përkushtimin shumë të madh për realizimin e saj deri në finalizim. Ndërsa shfaqjen “Nyjat”, e ka vlerësuar si të realizuar në tërësi, duke shprehur rezerva në lidhje me protretizimin e varfanjakut si personazh idealist, i cili sipas tij, nuk korrespodon me mendësinë tonë, ngase idealet e mëdha i kanë mbrojtur njerëzit me vetëdije të lartë e përfaqësuese për kombin, jo të tillët si lloji i varfanjakut.

Te shfaqja e natës së tretë, “Toka e shpirtrave të trazuar”, Papagjoni ka veçuar gërshetimin e tekstit, imazheve, skenografisë, mizanskenës e korreografisë, që erdhën para artdashësve si një simbolikë stilistike, apo metaforë teatrore. Aty tha se është arritur të harmonizohet komunikimi i ndërsjellë mes lojës së aktorëve në raport koherent me korreografinë, por edhe muzikën, ku këngët lirike e operistike, herë-herë janë ndërfutur nëpër skena si gjetje adekuate.

Shfaqjen e natës së katërt “Burrneshta”, Papagjoni e ka vlerësuar si një tentativë për të ofruar për publikun një pasqyrim ndriçues lidhur me një zakon të mëhershëm antropologjik tashmë të cilësuar si “të vdekur”.

Kritiku Josif Papagjoni foli edhe për shfaqjen e natës së pestë, “Babai dhe Babai”, nga Teatri “Integra”, të cilën e vlerësoi fare të veçantë, veçmas lojën e aktoreve dhe rrjedhën natyrale e të lehtë komunikuese të shfaqjes me publikun.

Prezantimin e shfaqjes së fundit, të ardhur nga teatri eksperimental “Kujtim Spahivogli”, “Pak Pakt”, J. Papagjoni e cilësoi mbresëlënëse në shumë aspekte por që kishte hapësirat e saj të caktuara ku mund të kritikohej.

Festivali i Dramës “Talia e Flakës 2023” së shpejti pritet t’i prezantoj anëtarët e jurisë vlerësuese, të cilët nuk janë publikuar për arsye profesionale.

Në fakt kjo çasje mbetet për t’u vlerësuar. Në mos jo për diç tjetër, atëherë së paku për shkak të patjetërsueshmërisë së ruajtjes së autonomisë vlerësuese profesionale të akëcilit anëtar, e të cilët mbase këtë herë do ta kenë një barrë të rëndë, dhe një sprovë të rëndësishme para vetes, pasi jehona e Manifestimit “Flaka e Janarit” imponon domsdonë e përgjegjësisë së lartë të vlerësimi të besueshëm, e aq më shumë festivali i dramës “Talia e Flakës”, si njëri nga festivalit që ruan primatin elitar në “panteonin” e skenës teatrale shqiptare, madje për shumë arsye.

Rezultatet e jurisë do të shpallen në Gala Mbrëmjen e paraparë të mbahet në resorin impresiv të Restaurant “Planeti”, më 31 janar, kur do të shpallen edhe vendimet tjera nëpër shtyllat përkatëse, sipas rrjedhës kontinuele, duke filluar nga “Peneli i Flakës”, “Talia e Flakës”, “Pena e Flakës” e deri te “Fest Flaka”.