Republika e Kosoves

Gjilan

Dhjetë shkolla të Gjilanit pajisen me tabela të mençura

2019/02/08 - 9:25

Dhjetë shkolla të komunës së Gjilanit janë pajisur sot me tabela të mençura, të cilat do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë inovativ në mësimdhënie dhe mësimnxënie sipas standardeve të shekullit 21.

Drejtori i DKA-së, Nazim Gagica, ka thënë se me furnizimin e tabelave të mençura, Gjilani po i përgjigjet me ritëm të shpejtë zhvillimeve dhe ndryshimeve në qasjen e mësimdhënies dhe mësimnxënies, duke shfrytëzuar avantazhet e teknologjisë së informatikës, si kusht themelor i procesit të reformës kurrikulare.

“Përmes tabelave te mençura nxënësit dhe mësimdhënësit do t’i përmbushin nevojat për të nxënit interaktiv, trajtim gjithëpërfshirës të temave, punë të pavarur, dominim i punës individuale dhe grupore e kontroll i drejtpërdrejtë”, ka deklaruar Gagica.

Vlen të theksohet se nesër do të fillojë të përmbushet premtimi i kreut të Komunës, Lutfi Haziri, për shujta për nxënësit dhe pilot projekti do të nis së zbatuari në shkollën fillore në Verbicë të Zhegocit.