Republika e Kosoves

Gjilan

“Dita pa makina” aktivitet i organizuar në Gjilan për një ambient më të pastër

2018/09/20 - 11:27

Komuna e Gjilanit ka organizuar sot aktivitetin “Dita pa makina”, në kuadër të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, si mesazh për të përdorur më tepër biçikletat, sepse kësisoj do të kemi shëndet më të mirë, shërbime më të lehta dhe njëkohësisht ambient më të patër.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, i cili së bashku me komandantin e Policisë dhe me zyrtarë komunalë e qytetarë, kanë marshuar nëpër qytet me biçikleta, ka thënë se Gjilani shënon “Ditën pa makina”, si thirrje për qytetarët që të ecin më tepër në këmbë dhe të përdorin biçikletat, për të shmangur tymin dhe ndotjen që shkaktojnë veturat.

“Sot është aktiviteti “Dita pa vetura”, në kuadër të aksionit tremujor “Ta pastrojmë Kosovës”, që së bashku me komandantin e Policisë së Kosovës në Gjilan, zyrtarët komunalë, pjestarë të policisë, nxënës e qytetarë, kemi marshuar me biçikleta nga qendra e qytetit deri të Universiteti “Kadri Zeka”. Kjo është një thirrje për të gjithë qytetarët e Gjilanit, që sa më shumë të përdorin biçikletat, sepse të gjithë ata që përdorin biçikletat janë më të shëndetshëm, shërbimet i kryejnë më shpejt dhe njëkohësisht japin një kontribut të madh në ruajtjen e ambientit të pastërt”, ka thënë nënkryetari Ismajli.

Ai ka bërë të ditur edhe angazhimin e Komunës në ofrimin e shërbimeve më të mira në këtë drejtim dhe pa pagesë.

“Komuna e Gjilanit, është në përgatitjen e projektit për vendosjen e biçikletave në kënde të ndryshme nëpër qytet, që ato të mund të shfrytëzohen nga qytetarët e Gjilanit për shërbime më të mira për ta. Do të jetë e thjeshtë, qytetarët do të mund ta marrin biçikletën në një rrugë apo pjesë të qytetit, të kryejnë shërbimin dhe ta dorëzojnë në një pikë tjetër në qytet. Shfrytëzimi do të jetë pa pagesë, sepse po punojmë për shërbime më të mira për qytetarët dhe për krijimin e lehtësirave për ta”, ka potencuar ai.

Përndryshe, rruga kryesore nga rrethi në qendrën e qytetit e deri të Universiteti “Kadri Zeka”, është bllokuar për qarkullimin e makinave, nga ora 10:00 deri në orën 12:00.