Republika e Kosoves

Gjilan

Festat e nëntorit shënohen me aktivitete edhe në shkollën “Nazmi Hoxha”

2024/11/29 - 9:39

Nxënësit dhe mësimdhënësit e SHFMU “Nazmi Hoxha”, në Gjilan festat e 28 nëntorit i shënuan me një varg aktivitetesh përgjatë datës 26 dhe 27 nëntor.

Duke filluar nga klasat 0- IX u angazhuan që këtë festë ta madhështojnë përmes një ekspozite ku u prezantuan vlerat e trashëgimisë sonë kulturore (veshjet, paja e nusërisë, mjetet e punës si dhe enët antike).

Po ashtu prezantuan edhe ekspozitën e artit pamor, poezi, këngë dhe shfaqje teatrale.

Aktivitetet u realizuan edhe përmes lojërave të ndryshme sportive si lojëra elementare vrapimi, lojë futbolli nga djemtë dhe lojë vojejbolli nga vajzat.

Nxënësja Jora Bllaca përfaqësoi shkollën me një poezi në programin festiv që organizoi Ansamblea Komunale e Fëmijëve.

Drejtoresha e shkollës Dashurije Shaqiri, u përkujdes që për nder të festës të organizojë edhe një ligjëratë me temë “Të drejtat e njeriut dhe barazia gjinore të mbajtur nga zyrtari rajonal për të drejtat e njeriut z. Shemsedin Mustafa.

Drejtoresha tha se shkelja e të drejtës së lëvizjes, e shprehjes, e mos përdorimit të gjuhës amtare, e arsimimit etj ishin faktorët kryesorë për të cilët kërkohej liria e popullit tonë gjatë historisë.

Meqenëse ligjërata ishte ndërvepruese, ku edhe nxënësit patën mundësi të shtrojnë pyetje të ndryshme, ata mësuan më shumë për të drejtat e njeriut, mënyrën se si duhet adresuar ankesat dhe përgjegjësitë që kanë krahas të drejtave.

Me një urim të 28 nëntorit për gjithë kombin shqiptar nga SHFMU “Nazmi Hoxha” u përmbyllën të gjitha aktivitetet.