Republika e Kosoves

Gjilan

Gjilani organizon kampanjë me të rinjtë kundër trafikimit të qenieve njerëzore

2018/11/01 - 1:56

Në Komunën e Gjilanit është mbajtur sot takim i përbashkët me të rinjtë gjilanas për promovimin e kampanjës kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe promovimin e lirisë së plotë dhe bashkëpunimit ndërinstitucional për liri të plotë të qytetarëve në përgjithësi.

Në këtë takim kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Policisë së Kosovës sektori kundër trafikimit, Komuna e Gjilanit, Ekipi Veprues për Siguri në Bashkësi, OSBE, ICITAP, nxnësit e shkollave të mesme dhe fillore shoqëria civile etj.

Në emër të Komunës së Gjilanit, shefi i kabinetit të kryetarit, Faton Bislimi, ka thënë se Gjilani në nivelin lokal është i organizuar në shumë fusha për sigurinë publike dhe është e vendosur në përkrahjen e të gjitha fushatave vetëdijesuese-informuese që kanë të bëjnë me tema e sfida që na preokupojnë të gjithëve, e një ndër to është edhe trafikimi me qenie njerëzore.

“Trafikimi nuk është vetëm koncepti i izolimit, por edhe shfrytëzimi i paligjshëm apo i detyruar i të rinjëve nga keqpërdorues të ndryshëm. Gjilani është njëra nga Komunat më të sigurta në Kosovë dhe kjo është bërë e mundur falë angazhimit të parezervë të institucioneve lokale dhe bashkëpunimit me PK-në, departamenteve dhe organizimeve të ndryshme në nivelin lokal që merren me punë konkrete në garantimin e sigurisë, për jetë të qetë për të gjithë. Komuna e Gjilanit është e përkushtuar që këto dukuri t’i parandaloj para se ato të ndodhin dhe për këtë jemi në koordinim të vazhdueshëm edhe me të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Kurse shefi i Njësitit Kundër Trafikimit në Policinë e Kosovës në Gjilan, toger Misim Shala, ka potencuar se trafikimi me qenie njerëzore është në një formë “skllavëri moderne” dhe si i tillë është problem global, e jo vetëm në Kosovë, por për këtë problem shteti ynë ka krijuar trupa dhe mekanizma mbrojtës që e ndihmojnë jashtzakonisht shumë edhe PK-në, në ndjekjen e kriminelëve e trafikantëve.

Eldin Buzkovic nga ICITAP-i Amerikan në Kosovë, ka thënë se Ambasada e SHBA-ve ka qenë gjithmonë mbështetëse e iniciativave që kanë për qëllim sigurinë publike dhe mbrojtjen e qytetarëve pa dallim moshe apo etnie, nga mundësia e trafikimit prej grupeve apo individëve të caktuar.

Ndërkohë, përfaqësuesi i OSBE-së në Kosovë, Sande Kitanov, ka thënë se trafikimi i qenieve njerëzore mbetet një sfidë që duhet punuar gjatë në Kosovë dhe në këtë rrugë duhet të jenë së bashku të gjitha institucionet pa dallim, për të parandaluar shfrytëzimin e qytetarëve nga rrjete, grupe apo individ të caktuar që radhiten në veprat kriminale.

Në emër të EVSB-ve, ka folur Shqipe Kastrati-Haziri, e cila ka potencuar se angazhimi do të jetë i vazhdueshëm me EVSB-të, në kuadër të promovimit të sigurisë publike në Komunën e Gjilan.

Në këtë takim, është shfaqur filmi “Rekrutuesi”, i cili përshkruan praktikisht tipet e rekrutuesve, grupeve kriminale që merren me këtë veprimtari shkatërruese të shoqërisë dhe është përcjellur nga një audiencë prej afro 100 të rinjëve në sallën e Kuvendit të Komunës në Gjilan.