Republika e Kosoves

Gjilan

Gjilani përfiton edhe 1 milion e 450 mijë euro për ndërtimin e rrugës Verbicë e Zvegocit-Sllovi

2018/10/31 - 1:54

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në vlerë prej një milion e 450 mijë euro, për ndërtimin e rrugë Verbicë e Zhegocit-Sllovi.

Kryetari Haziri ka falënderuar Ministrinë e Infrastrukturës dhe kryeministrin Haradinaj për vëmendjen që po i kushton investimeve në Gjilan.

“Përveç autostradës e cila kalon nëpër këtë malësi, po vjen edhe projekti tjetër që e lidhë Gjilanin me Lipjanin në një gjatësi prej 8 kilometra. Kjo rrugë është e një rëndësi të veçantë dhe për një zonë të rëndësishme të Gjilanit. Banorët e asaj zone do ta kenë shumë më të lehtë komunikimin me Gjilanin dhe njëkohësisht edhe me Lipjanin dhe pjesën tjetër të Kosovës”, ka thënë mes tjerash kryetari Haziri.

Kurse, zëvendësministri, Rexhep Kadriu, ka potencuar se Qeveria e Kosovës, përpos këtij projekti edhe gjatë vitit të ardhshëm do të investoj në Gjilan projekte të cilat do të ngritin standartin e jetës dhe njëkohësisht do të krijojnë mundësi më të lehta të qarkullimit të qytetarëve.

“Ministria jonë është e vendosur ta mbështes Gjilanin me projekte të ndryshme në infrastrukturë, kurse projekti i sotëm është më i madhi për kah vlera financiare për vitin 2018. Gjatë këtij viti kemi financuar projektet e vitit 2017 dhe 2018, por me përkushtimin e kryeministrit Haradinaj dhe ministrit Pal Lekaj, Gjilani do të mbështetet fuqishëm edhe në vitin 2019, me mbi 8 milionë euro në infrastrukturë rrugore”, ka potencuar zëvendësministri Kadriu.

Mjetet për këtë projekt do t’i ndaj Ministria e Infrastrukturës dhe punimet planifikohet të fillojnë këtë vit për të përfunduar i gjithë projekti për një periudhë të shkurtër kohore gjatë vitit të ardhshëm.