Republika e Kosoves

Gjilan

Gjilani ri-dëshmohet qendër e madhe kulturore

2019/02/04 - 10:14

Për tri javë ditë rresht në Gjilan u zhvilluan aktivitete kulturore, në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit 2019”, që mbahet në nderim të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit, të rënë nëpër janarët e acartë të historisë shqiptare, përgjatë një rrugëtimi shekullor, gati-gati të pamundur, përplot me sakrifica e flijime që u kurorëzuan me fitore.

 Në të vërtetë, manifestimi i sivjetmë, i 28-të me radhë, i cili u mbajt nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, iu kushtua 20-vjetorit të çlirimit të Gjilanit, përkatësisht nderimit të dëshmorëve Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka dhe të gjithë të tjerëve që sakrifikuan për ditët e bardha të lirisë, duke i dhënë fund periudhës së okupimit dhe sundimit të perandorive, shteteve e popujve të tjerë mbi shqiptarët e Kosovës.

“Flaka…” ka vazhduar me ekspozitën e arteve pamore “Peneli i Flakës”, si njëra ndër katër shtyllat themelore të manifestimit, ku krijuesit kanë ekspozuar punimet e tyre në pikturë, skulpturë, vizatim, grafikë, ndërsa është ndarë edhe çmimi blerës i galerisë, i cili i ka takuar skulptorit Muhamed Aliu.

Manifestimi ka vijuar me tryezën shkencore “Mulla Idriz Gjilani – një figurë e pashembullt e qëndresës shqiptare” , në përkujtim të këtij personaliteti të madh të kombit, në 70 vjetorin e martirizimit të tij, përkatësisht me akademinë përkujtimore për Jonuz Musliun, ish-pjesëtar i UÇPMB-së dhe më vonë politikan në Bujanoc, i cili ka lënë gjurmë të mëdha në historinë e kombit.

Janari shënon edhe përvjetorin e ndarjes nga jeta të Dr Ibrahim Rugovës, liderit më të madh të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, njeriut që në vend të luftës, promovonte dialogun dhe paqen. Ky përvjetor u shënua në manifestimin “Flaka e Janarit”, me një akademi përkujtimore.

Festivali i Dramës Kombëtare “Talia e Flakës”, që përbën njërën nga shtyllat më të rëndësishme të manifestimit, ka sjellë në Gjilan, pesë shfaqje: “I ligu për mend” (Tetari Kombëtar i Kosovës), “I vetëm në banesë” (Tetari i Gjilanit), “Kreonët e Ballkanit” (Teatri Kombëtar Eksperimental nga Tirana), “Hipokritët ose pacienti anglez” (Qendra Multimedia), “Kur hana del” (Teatri i Ferizajt).

“Talia…” ka treguar se publiku i Gjilanit, është adhuruesi më i madh i teatrit dhe vetëm këtu ndodh të thyhen dyert për të hyrë në shfaqje.

Shfaqja “I ligu për mend” e autorit Gjergj Fishta, me regji të Altin Bashës (Tetari Kombëtar i Kosovës) është përzgjedhur shfaqja më e mirë në Festivalin e Dramës Kombëtare “Talia e Flakës 2019”.

“Pena e Flakës” është njëra nga shtyllat tjera të manifestimit, ku garojnë krijuesit letrarë. Sivjet, krijuesja nga Shqipëria, Rozafa Shpuza, doli fituese e çmimit “Pena e Flakës”, në mesin e 21 poetëve sa lexuan në këtë pjesë të “Flakës…”. Ndërkaq, në konkursin letrar anonim, sipas një tradite tashmë të përvijuar ndër vite, u ndanë 6 shpërblime, 3 në poezi dhe tri të tjera në prozë.

Përndryshe, manifestimi i sivjetmë “Flaka e Janarit 2019” u përmbyllë me Festivalin e Muzikës Shqipe “Fest Flaka”, ku Sokol Latifi, fitoi çmimin e parë, çmimin e dytë – Rina Kurteshi, ndërsa çmimin e tretë – Elona Sadiku.

Manifestimi “Flaka e Janarit” e ka bërë Gjilanin një identitet të madh kulturor mbarëkombëtar, ku çdo vit, për tri javë ditë rresht grumbullohen mijëra artistë e artdashës nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe viset tjera shqiptare, për të marrë pjesë, ose përcjellë aktivitet që zhvillohen në kuadër të këtij manifestimi.