Republika e Kosoves

Gjilan

Gjilani së shpejti nis ndërtimin e infrastrukturës në lagjen Porodin

2019/07/03 - 4:43

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka konfirmuar se së shpejti do të nisin punimet për rregullimin e rrjetit të ujërave të zeza dhe asfaltimin e të gjitha rrugëve në lagjen Porodin, me një kosto mbi 570 mijë euro, të cilat parashihen me kontratën e nënshkruar gjatë ditës së sotme.

Haziri ka thënë se investimet në këtë lagje janë 300 mijë euro nga granti i performancës që Komuna e Gjilanit ka fituar nga bashkëpunimi me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe DEMOS, ndërsa pjesa tjetër e mjeteve prej mbi 270 mijë euro ndahet nga buxheti i Komunës.

Kryetari Haziri ka thënë gjithashtu, se kjo ishte lagja me gjendjen më të vështirë në komunën e Gjilanit, mirëpo sipas tij, me investimet në rrjetin e ujësjellësit në fazën e mëhershme dhe në këtë fazë me investimin e këtij projekti, do të bëhet një lagje e kompletuar me infrastrukturën publike.

Ai tha se do të vazhdohet me dinamikë të shtuar në kuadër të trajtimit të të gjitha lagjeve e fshatrave të Gjilanit.