Republika e Kosoves

Gjilan

Gjilani shënon 5 Qershorin, Ditën Botërore të Mjedisit

2018/06/05 - 3:37

Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me organizatën Let’s Do It, Drejtoritë e ndryshme komunale, FSK-në, Policinë e Kosovës, Zjarrëfikësat, shëndetësinë primare dhe nxënësit e shkollave, simbolikisht sot ka shënuar 5 qershorin – Ditën Botërore të Mjedisit, me aksionin për pastrimin e ambientit në Gjilan.

Me këtë rast drejtori për Shërbime Publike, Infrastrukturë dhe Banim, Naser Korça, ka thënë se ky është një aktivitet jashtëzakonisht i mirë dhe duhet të jetë i vazhdueshëm, sepse ambienti është jetë për ne.

“Jemi në vendin që në Gjilan njihet “te Pishat”. Vend ideal për të kaluar një ditë pushimi, vend që ia vlen të vizitohet, ngase karshi bukurisë, këtu është një ambient i freskët, mirëpo fatkeqësisht i ndotur nga qytetarë të pandërgjegjshëm. Apeloj tek të gjithë ata që frekuentojnë këtë zonë që të jenë të kujdesshëm dhe të mos shkaktojnë ndotjen tani e tutje. Ne kemi nevojë për mjedis të pastar, e jo mjedisi për ne. Ta ruajmë e gjelbërojmë”, ka porositur ai mes tjerash.

Deniza Limani, asistente politike e kryetarit Lutfi Haziri, ka thënë se bashkëpunimi gjithnjë sjell punë të mira dhe është në shërbim të përgjithshëm.

Ajo ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në këtë aksion të rëndësishëm për pastërtinë në përgjithësi dhe ka ftuar të rinjtë që kanë ide inovative t`i paraqesin dhe së bashku me mbështetjen e kryetarit Haziri do të implementohen projekte me rëndësi për një jetë më të mirë dhe ambient më të pastër.

Ndërsa nga organizata “Let’s Do It”, Vjollca Bajraktari, ka thënë se ky është një moment që secili duhet të jetë i vetëdijshëm se ku po i hudhë mbeturinat. Ajo ka bërë thirrje që të ruhet ambienti dhe mbeturinat të hudhen në vendet e destinuara për to.