Republika e Kosoves

Gjilan

Gjilani Shënon Ditën Ndërkombëtare të Familjes

2018/05/15 - 3:25

Nën organizimin e Komunës së Gjilanit, respektivisht Njësisë për të Drejtat e Njeriut, sot simbolikisht është shënuar Dita Ndërkombëtare e Familjes, ku është shpalosur panoja “Barazia fillon në familje”.

Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Shpresa Kurteshi-Emini, ka thënë se shënimi i kësaj dite, është simbolikë e kujdesit të vazhdueshëm për shëndet, respekt dhe barazi në familje. Ajo ka potencuar rolin e rëndësishëm të familjes si shtylla e një shoqërie dhe e të ardhmes së një vendi.

Kurse, Lindita Salihu, nga NjDNj, tha se duhet gjithmonë angazhim i fuqishëm që familja të jetë çelësi i harmonisë dhe suksesit, duke spikatur qëllimin e aktivitetit të sotëm që është në funksion të promovimit të vlerës së madhe që ka familja.

Nga Grupi i Grave Këshilltare të Kuvendit Komunal, ka folur edhe Teuta Suliqi, që ka përmendur familjen si pjesa kyçe e shoqërisw, tradicionalisht te populli shqiptarë gjatë gjithë fazave të zhvillimit dhe ndërtimit të shtetit.

Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë edhe nga Asambleja e Fëmijëve të Gjilanit dhe nxënësit e shkollës së Arteve, të cilët me piktura kanë paraqitur këtë aktivitet me familjen në qendër dhe harmoninë në përgjithësi.