Republika e Kosoves

Gjilan

Haziri: 17 shkurti shënon hapin më të madh në histori drejt afrimit shqiptar në Ballkan

2019/02/16 - 5:00

Kuvendi Komunal i Gjilanit, në praninë e personaliteteve dhe mysafirëve të shumtë nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria, ku ka marrë pjesë edhe ambasadori Qemajl Minxhozi, sot, në kuadër të shënimit të 11-vjetorit të pavarësisë së vendit, ka zhvilluar ceremoninë e nderimit me titull “Qytetar Nderi” të tri personaliteteve të rëndësishme, profesorit Irakli Koqollari nga Shqipëria, afaristit Fehmi Fetahu si dhe veprimtarit Ilir Mustafa (pos mortum).

Lutfi Hazir, kryetar i Komunës, ka thënë me këtë rast se pavarësia e Kosovës, është një akt që shënon sublimimin e kërkesës qytetarëve për të jetuar të barabartë në këtë pjesë të botës dhe shënon hapin më të madh në histori drejt afrimit të shqiptarëve në Ballkan.

Republika jonë dhe unë si kryetar i qytetit të Gjilanit dhe nënshkrues i deklaratës së pavarësisë së Kosovës, jemi të nderuar që sot mund të shohim se ku kemi arritur në këtë rrugëtim, 11 vjet pas pavarësisë, në funksionalizimin e kësaj republike dhe ndërtimin e një jete sa më të mirë.

Pasi bëri një vështrim mbi rrugëtimin e gjatë të popullit shqiptar për çlirim, që nga koha e kryengritësve të mëdhenj e këndej, kryetari Haziri u ndal te periudha e viteve të nëntëdhjeta e këndej, duke thënë se personalisht i përket brezit të Republikës, një lëvizje kjo gjithë popullore e udhëhequr nga Ibrahim Rugova, e deri te organizimi i njësive të para për luftë.

“Unë si 23 vjeçar, kam qenë selektori më i ri i grupit nga Gjilani që kam gjetur dhe kam dërguar në Shqipëri për t`u stërvitur dhe përgatitur për luftë në Kosovë, prej nga kanë dalë kryengritësit më të mëdhenj në vitin 1998”, ka thënë Haziri, duke nënvizuar me këtë rast kontributin e madh që në këtë drejtim ka dhënë asokohe profesori Irakli Koqollari.

“Për të nderuar kontributin e profesor Koqollarit, të cilin ai e ka dhënë për të gjithë shqiptarët në ish-Jugosllavi, ndonëse ne si Gjilan jemi përfshirë pak më shumë në këtë bashkëpunim, që Kosova do ta njoh më vonë, ne kemi vendosur që prej sot ta shpallim atë “Qytetar Nderi” të Gjilanit”, ka thënë kryetari Haziri.

Njeriu i dytë që sot e ka nderuar me këtë titull Komuna e Gjilanit, është Fehmi Fetahu, i cili si i ri ishte detyruar ta braktis vendlindjen, ndërsa tani është kthyer për ta ndihmuar zhvillimin e saj, si një biznesmen shumë i suksesshëm dhe ndër investitorët më të mëdhenj këtu.

Pos mortum ne sot nderojmë edhe veprimtarin Ilir Mustafa, i cili ka vdekur në Francë dhe është Iliri më i madh që kemi pasur në Gjilan. Ai është sinonom i njeriut të palodhshëm në lobim për çështjen kombëtare në diasporë, i cili në Gjilan ka lënë gjurmë të pashlyeshme, ka thënë ndër të tjera kryetari Haziri.

Një fjalë rasti ka mbajtur edhe ambasadori Minxhozi, i cili ka thënë se sot është një ditë e rëndësishme për Kosovën, por kjo nuk është një ditë e plotë, sepse mungojnë këtu dëshmorët dhe martirët e kombit, të cilët dhanë jetën e tyre për këtë liri.

“Kosova ka hedhur hapa të rëndësishëm deri këtu dhe duhet të ecën tutje në ndërtimin e shtetit dhe të së ardhmes sonë”, ka thënë ambasadori shqiptar, Qemajl Minxhozi.

Irakli Koqollari, Fehmi Fetahu dhe Arben Mustafa (i biri i Ilir Mustafës), janë falënderuar veç e veç për nderimin që Komuna e Gjilanit u ka bërë atyre duke ua ndarë çmimin më të lartë “Qytetar Nderi”.

Profesor Irakli Koqollari ka thënë se personalisht është munduar të bëjë diçka për lirinë e Kosovës, por sipas tij, meritat për fitoren ju takojnë të rinjve, atyre që guxuan të ngritën për lirinë e vendit të tyre.

Shpresa Kurteshi, kryesuese e Kuvendit Komunal e ka përmbyllur këtë solemnitet në Gjilan, duke thënë se Kosova ka bërë një rrugëtim të gjatë, shumë shekullor, me sakrifica e flijime, për të arritur deri te kjo ditë.