Republika e Kosoves

Gjilan

Haziri: Borxhlinjë më të mëdhenj në tatim në pronë janë operatorët ekonomikë, jo qytetarët e rëndomtë

2018/10/12 - 2:02

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, duke folur rreth ndryshimeve në ligjin mbi tatimin në pronë, tha se qytetarët e Gjilanit janë të rregullt, të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm ndaj pagesave të taksave komunale, por operatorët ekonomikë janë borxhlinjtë më të mëdhenj dhe ata duhet të përgatiten edhe për masat shtrënguese, pasi, siç tha, janë të detyruar t`i ndërmarrim si komunë.

“Nuk lejojmë presione e as kushtëzime, sepse shtetin askush nuk mund ta pengojë. Operatorët ekonomikë janë borxhlinjtë më të mëdhenj e jo qytetarët. Nuk jam ithtar i masave shtrënguese, por ne duhet të ndërhyjmë dhe funksionojmë si shtet. Qytetarët nuk duhet të kenë frikë sepse ata janë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm. Ata kanë treguar korrektësi dhe i kanë kryer të gjitha obligimet e parapara me ligj. Kemi të bëjmë me masa popullore”, ka thënë Haziri në një debat të organizuar nga klubi i gazetarëve “Beqir Musliu”.

Zijadin Maliqi, drejtor për Financa, tha se ndryshimet në tatimin në pronë e obligojnë qytetarin që të jetë më i kujdesshëm.

“Të jemi të qartë, ligjin e ka bërë Qeveria, e jo Komuna dhe ne jemi të detyruar ta zbatojmë këtë dhe çdo ligj tjetër. Ndryshimet e bëra janë afatet e pagesës së tatimit në pronë, më herët ishte 31 qershor pjesa e parë dhe 31 dhjetori pjesa e dytë, kurse tani 30 prilli pjesa e parë dhe 30 shtatori pjesa e dytë. Ndryshimi tjetër ka të bëjë me kamatat dhe ndëshkimet. Ligji i vjetër ishte 1% kamata, kurse tani është zvogëluar në 0.56% kamatë mujore. Ndryshimi tjetër është tatimi i përshkallëzuar që fillon së zbatuari në vitin 2019 dhe tatimohen tokat e papunuara. Ankesat kanë qenë deri më 30 prill tani janë më 30 mars. Me ligjin e ri parashihet obligimi përmes përmbaruesve. Vërejtjet e fundit kanë dhënë efekt sepse është dyfishuar shuma e inkasuar. Nuk do ua mbyllim derën qytetarëve, përkundrazi do të arrijmë edhe marrëveshje dhe do të kemi bashkëpunim të dyanshëm”, ka sqaruar Maliqi.

Në debat kanë kontribuar edhe Demir Krasniqi, Musli Matoshi, Shaban Terziu, Tefik Selimi, Besnik Mustafa dhe Ramiz Isufi.