Republika e Kosoves

Gjilan

Haziri falënderon donatorët për mbështetjen e Gjilanit në kohë pandemie

2020/05/18 - 1:15

Gjilan, 18 maj 2020 – “Gjilani është falënderues i përhershëm dhe bashkëpunues me të gjithë donatorët që kanë dëshmuar angazhimin maksimal që nga sigurimi i kafshatës së bukës për sofrën e nevojtarëve e deri të kujdesi për shëndetin e të sëmurëve”.

Kështu ka thënë sot kryetari i kësaj Komune, Lutfi Haziri, pas takimit me Komitetin për menaxhimin e emergjencave.

Ai theksoi se Komuna është duke e menaxhuar aksionin humanitar përmes dy programeve, atë me Këshillin e Bashkësisë Islame, gjithashtu edhe programin tjetër të përbashkët me Rotary Club Gjilani.

“Këto dy programe të mbashtetjes me pako ushqimore dhe higjienike janë duke u bërë me KBI-në në Gjilan dhe me Rotary Club Gjilani. Unë kam vendosur që donacionin me tabletë ta destinoj për fëmijët e me nevoja të veçanta dhe kjo është bërë me arsyen që fëmijët e kësaj kategorie të jenë të integruar online në mësimin në distancë dhe njëkohësisht edhe të jenë të barabartë me të gjithë fëmijët tjerë”, ka theksuar Haziri në konferencën me gazetarë.

Komuna e Gjilanit është falënderuese e vazhdueshme e donatorëve të shumtë që kanë drejtuar mjetet e tyre në drejtim të qytetarëve të Gjilanit, për të qenë afër nevojtarëve në të gjitha format, që nga materiali mbrojtës, pakot ushqimore, higjienike dhe pajisjeve teknologjike.