Republika e Kosoves

Gjilan

Haziri: Gjilani është krenar me sukseset e karateistëve në Kampionat Europian

2020/02/10 - 1:32

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim tre karateistët e klubeve të karatesë Drita dhe Katana, që u stolisën me medaljen e bronztë në Kampionatin Europian, Benjamin Shabani, Vesa Ibrahimi dhe Betim Maliqi.

Pasi i uroi për suksesin, kryetari Haziri tha se Gjilani është krenar me sukseset e karateistëve, për të shtuar se kjo komunë po bëhet qendër e karatesë.

“I uroj dhe falënderoj fituesit dhe trajnerët për përfaqësimin kaq të madh sepse Gjilani po bëhet qendra e karateistëve dhe garuesve më të mirë që ka sot Kosova në kampionate europiane dhe botërore. Tre medalistët janë shpresa jonë olimpike. Komuna do t’ju qëndrojë mbrapa, për t’ua lehtësuar rrugëtimin”, ka thënë Haziri.

Në emër të tre triumfuesve ka folur Benjamin Shabani, i cili tha se janë shumë të lumtur që tri medalje të rëndësishme i kanë sjellë Gjilanit dhe Kosovës.

Në fund, kryetari Haziri ka konfirmuar mbështetjen e veçantë financiare që Komuna do t’ia ofrojë tre medalistëve, sikurse edhe karateistit Elhami Shabani, i cili konkurron për ta arritur kuotën olimpike.