Republika e Kosoves

Gjilan

Haziri iu uron suksese ‘mollkuqeve’ të Gjilanit dhe përfaqësim dinjitoz në Bjellorusi

2018/04/12 - 11:50

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim përrfaqësuesen e qendrës kulturore “Mollkuqet”, Arta Haziri Nuhiu, e cila së bashku me katër talentet na Gjilani, Edisa Ahmeti, Ilda Nuhiu, Valenta Selimi dhe Yllka Dema, do të nisen për në Minsk të Bjellorusisë për ta përfaqësuar Kosovën në festivalin ndërkombëtar të muzikës “Lemari”.

Kryetari Haziri, pasi u ka uruar suksese në këtë festival, ka thënë se ky është shembulli më i mirë i talentëve që ka Gjilani në këtë dhe disa fusha tjera.

“Unë ju uroj shumë suksese dhe shpresoj shumë që do ta në bëni krenarë të gjithëve me rezultatet e arritura. Mbështetjen e Komunës do ta keni në vazhdimësi”, ka thënë Haziri.

Ndërkaq, drejtoresha e qendrës kulturore “Mollkuqet”, Arta Haziri Nuhiu, e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen dhe mbështetjen e madhe që i ka dhënë festivalit “Mollkuqet”.

“Do ta bëjmë të pamundurën që ta përfaqësojmë shtetin tonë në mënyrë sa më dinjitetshmë dhe të rithehemi me trofe të fituar nga ky event i madh ndërkombëtar, ku Kosova për herë të parë po merr pjesë. Më 17 prill do të jetë nata finale dhe besojmë që do ta bëjmë krenar vendin tonë”, ka thënë Haziri Nuhiu.

Në këtë takim, suksese i kanë uruar talenteve të Gjilanit edhe kryesuesja Shpresa Kurteshi Emini dhe drejtoresha e Arsimit, Majlinda Hoxha.